Pas dy incidenteve në Zubin Potok dhe Zveçan, situata në veri të Kosovës të dielën raportohet të jetë e qetë.
Ekipi i Radios Evropa e Lirë, që ka qëndruar në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, thotë se në orët e mëngjesit të ditës së diel janë parë dy avionë nga Serbia duke fluturuar në afërsi të kufirit me Kosovë.
Por, në përgjithësi raportohet se gjithçka është qetë dhe nën mbikëqyrje të Policisë së Kosovës.
Në pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, në Jarinjë dhe Bërnjak, për të shtatën ditë me radhë vazhdojnë të jenë të vendosura edhe njësitë speciale të Policisë së Kosovës.
Të shtunën, më 25 shtator, Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok është djegur, ndërsa është sulmuar edhe Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan.
Të dielën kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka zhvilluar një takim me liderët e partive opozitare në Kosovë.
Në takim morën pjesë kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Në këtë takim nuk ishte i pranishëm, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Kryeministri i Kurti, sipas një komunikate për media, ka njoftuar liderët opozitarë për zhvillimet në pjesën veriore të Kosovës.
Krerët opozitarë Krasniqi dhe Abdixhiku, thuhet në njoftim, kanë shprehur mbështetjen për sundimin e ligjit në mbarë territorin e Kosovës dhe për mbrojtjen e kufijve të shtetit tonë.
Një ditë më parë në rrjetin social Facebook, kryetari i PDK-së, Krasniqi ka thënë se qeveria duhet të marrë masa për të siguruar jetën e pjesëtareve të Policisë së Kosovës si dhe të gjithë qytetareve në veri të Kosovës.
Derisa, kryetari i LDK-së, Abdixhiku ka thënë se ‘gjendja e tensionuar në veri kërkon unitet të plotë’.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti një ditë më parë, mblodhi Këshillin e Sigurisë së Kosovës ku u diskutua situata në veri dhe koordinimi i hapave të mëtejmë.
Kurti ka thënë të shtunën se vendimet që do të ndërmerren karshi situatës së krijuar do të jenë në përputhje me vlerësimet që i bëhen situatës së sigurisë.
Shefi i ekzekutivit kosovar ka thënë se derisa ka rrezik në pikat kufitare, aty do të qëndrojnë njësitë speciale të Policisë së Kosovës.
Serbët lokalë po kundërshtojnë vendimin e Qeverisë së Kosovës për reciprocitet në çështjen e targave të veturave të Serbisë, që hyjnë në Kosovë.
Ata po pamundësojnë kalimin e veturave, ndërkohë qytetarët po detyrohen të kalojnë kufirin në këmbë.
Për shkak të zhvillimeve në veri, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani më 25 shtator ndërpreu vizitën e saj në Shtetet e Bashkuara dhe u nis drejt Kosovës.
Presidentja Osmani ka thënë se dy sulmet e së shtunës në Zubin Potok dhe Zveçan, dëshmojnë se Serbia është “burimi kryesor i destabilizimit në rajon”.
Ajo i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mos injorojë, atë që ajo e cilësoi si tendencë të Rusisë dhe Serbisë për destabilizimin e rajonit dhe më gjerë.
Djegia e Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok dhe sulmi ndaj Qendrës së Regjistrimit Civil në Zveçan janë dënuar nga autoritetet në Kosovë.
Për sulmet në veri Prishtina zyrtare ka akuzuar Beogradin.
Kryeministri Kurti, gjatë një konference për media, të shtunën ka thënë se Serbia po provokon konflikt serioz ndërkombëtar që rrezikon të marrë përmasa rajonale.
“Serbia qartazi dëshiron të militarizojë dhe të e eskalojë situatën. Po sjell deri afër kufirit të Kosovës edhe helikopterë e avionë të prodhimit rus. Nëpërmjet këtyre sulmeve, provokimeve ku përdoren qytetarët e Kosovës, Serbia provokon konflikt serioz ndërkombëtar, që rrezikon të marrë përmasa rajonale”, tha Kurti.
Autoritetet e Kosovës, të hënën, më 20 shtator kanë nisur që veturave me targa të Serbisë, që hyjnë në Kosovë, t’iu vënë targa të përkohshme, pasi kanë thënë se të njëjtën gjë Serbia po e bën tash e sa vite.
Çështja e targave është e rregulluar me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë./REL/