U vra në krye të detyrës, ylli i Saimir Hoxhës vendoset në memorialin e dëshmorëve të Policisë

3 Minuta Lexim

Në Ministrinë e Brendshme, u mbajt sot një tjetër në nderimtë Dëshmorit të Atdheut, Saimir Hoxha, i cili u vra një ditë më parë në Vain të Lezhës, nga 21 vjeçari Aldi Rama, teksa po kthehej nga një aksion antikanabis.

Ylli i nënkomisarit Saimir Hoxha është vendosur në memorialin para Ministrisë së Brendshme bashkë me 224 dëshmorë të tjerë të Policisë

Në fjalën e tij të shkurtër, për shkak edhe të reshjeve të shiut, kryeministri Rama tha se fëmijë e Dëshmorit të Atdheut, nuk do jenë kurrë vetëm.

“Sot ne jemi këtu për të krijuar ceremoninë e vendosjes së yllit në murin e kujtesës së Policisë së Shtetit pranë yjeve të gjithë dëshmorëve të trupave tona të rendit e sigurisë në harkun e këtyre viteve.

Është një kohë e gjatë qysh se është vendosur ylli i mëparshëm dhe në një kuptim është lehtësim, që në gjithë morin e atyre yjeve në atë mur, në këto vite, numri i rasteve tragjike është më pak se gishtat e një dore. Nga ana tjetër statistikat  s’kanë rëndësi, sepse një jetë e vetme vlen sa gjithë jetët kur ajo humbet.

Nuk dua të zgjatem se besoj që ky shi që po bie rrëmbyeshëm i thotë më mirë se sa të gjitha fjalët dhe ndjenjat tona.

Dua të them se sidoqoftë ndjej një lehtësim kur mendoj se fëmijët e dëshmorit nuk do të jenë vetëm. Ne do të përkujdesemi për ta siç kemi nisur për familjet e tij deri kur të arrijnë moshën e pjekurisë dhe të dalin me këmbët e tyre në jetë.

170% e pagës për fëmijët nuk thotë asgjë në raport me humbjet, natyrisht që as ato 50 mijë lekë nuk thonë asgjë, por sidoqoftë është një lehtësim të mendosh se fëmijët do të jenë të shoqëruar përdore jo vetëm nga nëna, gjyshërit, por dhe nga shteti, nuk do i mungojë asgjë njësoj sikur babai të ishte në jetë, përveç mungesës së tij që askush nuk e zëvendëson dot. Lavdi dëshmorëve të atdheut që sot iu bashkohet dhe ylli i Saimirit”, tha Rama.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull