Sikurse është publikuar më parë fundin e karrierës së saj si kancelare e Gjermanisë, Angela Merkel ka planifikuar ta mbyllë me një vizitë në kryeqytetin e vendit më të varfër të kontinentit. Ardhja e saj në Tiranë është në 14 shtator 2021, ndërkohë që sot Ambasada gjermane në Tiranë ka zbardhur axhendën e vizitës.
Kështu, sipas njoftimit të Ambasadës, me mbërritjen në Tiranë kancelarja Merkel do të ketë një takim dypalësh me kryeministrin Edi Rama, dhe më pas do të jetë e pranishme në forumin me 6 vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në axhendë parashikohen takime dypalëshe me përfaqësues të të gjitha shtetet të BP-së me përjashtim të Serbisë (të cilën Merkel do ta vizitojë një ditë më herët), e cila zakonisht në këto takime përfaqësohet nga kryeministrja Brnabic.
Në takimin dypalësh mes Merkel dhe Ramës, ambasada njofton se do të bisedohet për çështjet e politikës ekonomike si dhe marrëdhëniet mes dy vendeve, dhe integrimi i Shqipërisë në BE.
Në axhendën e bërë publike, nuk përmenden takime me zyrtarë të tjerë apo përfaqësues politikë në vendin tonë.
Njoftimi i ambasadës gjermane:
Kancelarja Angela Merkel do të vizitojë Shqipërinë të martën, më 14 shtator.
Në Tiranë ajo do takohet fillimisht për një bisedë me kryeministrin Edi Rama. Të planifikuara janë biseda që lidhen me çështjet e politikës ekonomike dhe marrëdhëniet dypalëshe midis Shqipërisë dhe Gjermanisë, por edhe çështje që lidhen me përafrimin me BE-në.
Në bisedimet e mëpasme me krerët e qeverive të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, në plan të parë do të jenë çështjet e bashkëpunimit rajonal. Gjithashtu janë planifikuar bisedime dypalëshe me krerët e qeverive të Kosovës, Bosnje dhe Hercegovinës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut.