Shoqëria jonë, në Shqipërinë e 2021-shit, është e pazhvilluar, mbetet e dominuar nga fanatikë dhe konformistë, ndërsa individët e lirë janë të paktë në numër, e të mekur në përfaqësim. Unë, sidoqoftë mendoj se: i lirë është vetëm ai që do!
Nga Dritan SHANO –
Rreshtat e mëposhtme janë botuar në FEE.org, Qershor 2020 të përshtatura nga John Miltimore.
“Shumë individë mendojnë se nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të ndjekin tufën. Këto thënie mund t’ju ndihmojnë të shkëputeni nga ky kurth mendor.
Autorja Dorothy Sayers (1893-1957) dikur vuri re se një nga anët negative të epokës moderne është se njerëzit nuk kanë mjetet e duhura për t’i rezistuar sulmit të pafund të mesazheve (“breshëria e pandërprerë e fjalëve, fjalëve, fjalëve”.)
Të shkruarit e lexuarit u përhapën gjerësisht, por mjetet e arsyes, logjikës dhe deduksionit po humbisnin kundrejt ekspozimit të njerëzve ndaj medias masive dhe reklamave pothuajse konstante.
Sayers pyeste veten se mos kushtet e botës moderne i kishin bërë njerëzit “të ndjeshëm ndaj ndikimit të reklamave dhe propagandës masive në një masë deri më tani të padëgjuar dhe të paimagjinuar”.
Sayers i shkroi këto fjalë në 1947, një vit para se parandjenjat e errëta të George Orwell mbi propagandën dhe kontrollin të botoheshin në veprën e tij klasike 1984.
Sayers dhe Orwell po paralajmëronin diçka, por e vërteta e pakëndshme është se mediat masive vetëm sa janë amplifikuar edhe më që atëhere. Një amerikan mesatar sot kalon afër katër orë në ditë “duke lexuar, dëgjuar ose thjesht duke ndërvepruar me media” në kompjuterë, tableta ose pajisje të lëvizshme, zbulon një studim i fundit. Për fëmijët, shifra është edhe më e lartë: 4,5 orë. Për adoleshentët, koha mesatare e ekranit është akoma më e lartë: 6,5 orë në ditë.
Përmbytja e mediave përbën një kërcënim për një nga cilësitë thelbësore që i bën njerëzit njerëzor: individualitetin. Të themi të drejtën, individi gjithmonë ka luftuar për të mbijetuar në tufë (për të parafrazuar Kipling); por në shumë mënyra masmediat e bëjnë këtë përpjekje edhe më të vështirë. Sot ne jemi të bombarduar pafund me mesazhe, imazhedhe ideologjiduke luftuar për vëmendjen, mendjet dhe kuletat tona.
Na thuhet se çfarë shfaqjesh duhet të shikojmë dhe çfarë librash duhet të lexojmë dhe cilët personazhe janë problematikë. Na thuhet se cilat ide dhe mesazhe janë në rregull dhe cilat duhet të shtypen, të shfuqizohen ose modifikohen. Ne shohim se cilët të famshëm ndëshkohen për cilat shkelje.
Për shumë njerëz kjo është rraskapitëse, konfuze dhe nxit ankthin. Ndoshta pjesa më e keqe është se shumë individë mendojnë se nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të ndjekin tufën. “Psikologjia e turmave është një gjë interesante,” Claire Lehman, redaktore i Quillette ka vërejtur së fundmi. “Për shkak se shumica e njerëzve janë konformistë, duket qartë se sapo një numër i caktuar ideologësh të zënë vend në një organizatë ose shoqëri, arrihet një pikë kthese dhe tufa thjesht i ndjek së bashku.”
Të paktë janë ata që sot do ta mohonin këtë një sfidë. Shpesh duket se bota sot është një turmë e madhe, e pakuptimtë. Por është e rëndësishme të kujtojmë një të vërtetë thelbësore: nuk duhet të marshojmë nën ritmin e daulles së turmës.
Këtu janë 21 thënie mbi konformizmin dhe antikonformizmin që zbulojnë luftën ndaj dhe rëndësinë e të qenit të lirë në mendjet tona.
- “Individit gjithmonë i është dashur të përpiqet të mos zotërohet nga tribuja e vet. Nëse e provoni, do të jeni të vetmuar shpesh, dhe ndonjëherë të frikësuar. Por asnjë çmim nuk është shumë i lartë për të paguar privilegjin e zotërimit të vetvetes.” – Rudyard Kipling, 1935 (ky citat shpesh i atribuohet keq Niçes)
- “Konformizmi është roja i burgut të lirisë dhe armiku i rritjes.” – Presidenti John F. Kennedy, fjalimi ivitit 1961 në Kombet e Bashkuara
- “Nuk më plas se ç’thonë të tjerët. Është OK të ngjyrosesh edhe jashtë vijave ”. – Jimi Hendrix (1942-1970), muzikant
- “Është e lehtë në botë të jetosh sipas mendimit të botës; është e lehtë të jetosh sipas mendimi tënd në vetmi; por njeriu i madh është ai që në mes të turmës mban me ëmbëlsi të përsosur pavarësinë e vetmisë. ” – Ralph Waldo Emerson, Mbështetja tek vetja (1841)
- “Fëmijë rebelë, unë ju nxis, luftoni shkëlqimin e paqartë të konformizmit me të cilin ata kërkojnë të mbysin lavdinë tuaj.” – Russell Brand, My Booky Wook, 2008
- “Herezia është një fjalë tjetër për lirinë e mendimit.” – Graham Greene (1904-1991), autor
- “Jo të gjithë ata që enden, kanë humbur.” – JRR Tolkien, Shoqëria e Unazës (1954)
- “Për moskonformitet, bota ju fshikullon me pakënaqësinë e saj.” – Ralph Waldo Emerson, Mbështetja tek vetja (1841)
- “E kundërta e trimërisë nuk është frika, por konformizmi”. – Dr. Robert Anthony, Sekreti i fundit për vetëbesimin total
- “Sa herë që e gjeni veten në anën e shumicës, është koha për t’u reformuar (ose ndalur e reflektuar).” – Mark Twain, shënime (1904)
- “I gjithë progresi ka rezultuar nga njerëz që morën pozicione jopopullore.” – Adlai Stevenson, Adresa në Princeton, 1954
- “Shkoni në rrugën tuaj. Vër në pikëpyetje gjithçka. Mos prano asgjë. Mos prano asnjë dogmë, asnjë hipokrizi. Ka shumë njerëz që ecin përreth duke menduar se janë lopë të shenjta, dhe kanë vetëm gjysëm të drejtë ”. – Rosie DiManno (l. 1956), gazetare Kanadeze
- “Unë mendoj se shpërblimi për konformitetin është që të ty të pëlqejnë të gjithë, përveçse ti vetë.”- Rita Mae Brown (l. 1944), autore
- “Çdo brez qesh me modelet e vjetra, por ndjek rigorozisht të rejat.” – Henry David Thoreau (1817-1862)
- “Vetëm individi që është i përjetshëm. Shoqëritë, kulturat dhe civilizimet ― e kaluara dhe e tanishmja shpesh janë të pakuptueshme për të huajt, por uritë, ankthet, ëndrrat dhe preokupimet e individit kanë mbetur të pandryshuara gjatë mijëvjeçarëve. ” – Eric Hoffer(1898-1983), filozof moralist
- “Ndoshta, nëse dikush dëshiron të shquhet si individ në mes të turmave të mëdha, duhet ta bëjë veten grotesk”. – Salman Rushdie, Fëmijët e Mesnatës
- “Nëse vendos të jem idiot, atëherë do të jem idiot sipas qejfit tim.” – Johann Sebastian Bach (1685-1750)
- “Është gati e pamundur të jesh një person i edukuar në një vend kaq mosbesues ndaj mendjes së pavarur.” – James Baldwin (1924-1987), autor
- “Specia jonë e mjerë është katandisur që ata që ecin në shtegun e rrahur nga të gjithë qëllojnë me gure këdo që po tregon një rrugë të re.” – Volteri (1724-1788)
- “Vetëm një numër shumë i vogël i njerëzve janë vërtet të këqij. Por një numër shumë i madh njerëzish janë konformistë. Për të parandaluar të keqen në një shkallë masive, është më e rëndësishme për ne që të heqim dorë nga instinkti ynë për t’u konformuar me turmën, dhe mos të shqetësohemi për çfarëdo gjëje tjetër. ” – Claire Lehman, redaktore themeluese e Quillette”