Nga Erion DASHO *-
Prej muajsh qarkullon tashmë koncepti i “diktaturës shëndetësore”, i cili sipas promovuesve të tij ngjan me diktaturën hitleriane.
Anti-Vax-ët po krahasohen me hebrejtë dhe parashikohet kushedi se çfarë kataklizme që u është taksur atyre nga “kriminelët” bluzëbardhë!
Së pari, të përdorësh një nga ngjarjet më të errëta dhe më të dhimbshme të historisë së njerëzimit për të promovuar agjendën anti-Vax është jo vetëm poshtërsi, por mund të jetë edhe kriminale.
Krimet që konceptoi dhe zbatoi një kriminel i sëmurë mendor nuk mund të krahasohen në asnjë pikë me masat që bazohen tek rekomandimet e shkencëtarëve, institucioneve demokratike dhe që janë të orientuara nga gjetjet e studimeve shkencore.
Sot një qytetari europian i kërkohet të zgjedhë midis vaksinës dhe testimit për të provuar se ai është kontributor në uljen e rrezikut që vjen prej COVID-it.
Ata dhjetëra milionë europianë të përgjegjshëm që janë sot të vaksinuar ose të shëruar kanë plotësisht të drejtë të ndihen më të sigurt në tren, në bar, në restorant apo në palestër.
Ata e kanë dhënë kontributin e tyre në mbrojtjen dhe përmirësimin e shëndetit publik dhe kanë të drejtë t’i kërkojnë shoqërisë t’i mbrojë!
Kështu funksionon një demokraci.
Kush nuk dëshiron të vaksinohet, le të testohet Kush refuzon kategorikisht pasaportën e gjelbër, nuk ka asnjë të drejtë të ekspozojë të tjerët ndaj një rreziku!
Në një shoqëri të lirë, liria jote përfundon aty ku nis liria ime! Dhe kjo është pikërisht e kundërta e asaj që ndodhi në holokaust!
* Autori shërben në Kompaninë “Partner”, si Drejtor për Shëndetin Dixhital dhe Inovacionet, në Frankfurt të Gjermanisë.