Largohet nga detyra i dërguari kryesor amerikan për Afganistanin

4 Minuta Lexim

I dërguari më i lartë amerikan në Afganistan, Zalmay Khalilzad, po largohet nga posti, më pak se dy muaj pas tërheqjes kaotike të Shteteve të Bashkuara nga Afganistani.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken njoftoi largimin e zotit Khalilzad në një deklaratë të hënën në mbrëmje, duke thënë se i dërguari do të zëvendësohej nga zëvendësi i tij, Thomas West.

“Unë shpreh mirënjohjen time për shërbimet e tij prej disa dekadash ndaj popullit amerikan”, tha Sekretari Blinken.

Zoti Khalilzad kishte qenë i dërguari special i Shteteve të Bashkuara për Afganistanin gjatë tre viteve të fundit, duke shërbyer si nën Presidentin Joe Biden, ashtu edhe nën ish-Presidentin Donald Trump.

Para kësaj, ai kishte shërbyer si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara, Irak dhe Afganistan nën ish-Presidentin George W. Bush.

Zoti Khalilzad, i lindur në Afganistan, është përballur me kritika për rolin e tij në drejtimin e negociatave me talebanët dhe qeverinë afgane që filluan në vitin 2018.

Zoti Khalilzad nuk arriti të ndërmjetësojë një qeveri për ndarjen e pushtetit midis dy palëve, por negocioi një marrëveshje mes talebanëve dhe Shteteve të Bashkuara në shkurt 2020, e cila çoi në tërheqjen e ushtrisë amerikane nga Afganistani.

Ndërsa forcat amerikane u tërhoqën nga vendi këtë vit, forcat talebane pushtuan me shpejtësi qytetet në të gjithë Afganistanin, duke sjellë rënien e qeverisë që gëzonte mbështetjen amerikane në Kabul në muajin gusht.

Shpejtësia e marrjes nën kontroll të vendit nga talebanët kontribuoi në një tërheqje kaotike të ushtrisë amerikane nga Afganistani, në të cilën qindra qytetarë amerikanë dhe mijëra afganë që ndihmuan përpjekjet e luftës amerikane u përpoqën të largoheshin nga vendi në ditët e fundit të operacionit ushtarak amerikan.

Në një letër drejtuar Sekretarit Blinken, zoti Khalilzad pranoi se nuk ishte në gjendje të ndërmjetësonte një qeveri për ndarjen e pushtetit midis talebanëve dhe qeverisë së mbështetur nga Shtetet e Bashkuara në Kabul.

“Marrëveshja politike midis qeverisë afgane dhe talebanëve nuk u zhvillua siç ishte parashikuar”, shkruajti ai.

“Arsyet për këtë janë shumë komplekse dhe unë do të shpreh mendimet e mia në ditën dhe javët e ardhshme”, shtoi ai.

Megjithatë, zoti Khalilzad mbrojti marrëveshjen që ndërmjetësoi midis Shteteve të Bashkuara dhe talebanëve. Ai argumentoi se nuk ishin gabime në marrëveshje që çuan në marrjen e Afganistanit nga talebanët, por vendimet e administratave Trump dhe Biden për t’u tërhequr nga vendi pavarësisht se talebanët nuk respektuan shumë aspekte të marrëveshjes.

Ai shkruajti se talebanët “ranë dakord të negociojnë drejtpërdrejt me qeverinë ekzistuese afgane për një marrëveshje për ndarjen e pushtetit dhe një armëpushim gjithëpërfshirës dhe të përhershëm”, së bashku me zotimin se nuk do të kryejnë sulme ndaj forcave amerikane dhe nuk do të mbështesin terroristët.

Si pjesë e marrëveshjes, Shtetet e Bashkuara “ranë dakord të tërheqin forcat me valë gjatë një periudhe 14-mujore nëse talebanët zbatojnë angazhimet e tyre”, tha ai.

Zoti Khalilzad tha në letrën e tij se “tani është koha e duhur” për të dhënë dorëheqjen nga posti i tij, duke thënë se Shtetet e Bashkuara janë “në një moment kur ne po hyjmë në një fazë të re në politikën tonë për Afganistanin”.

Zoti Khalilzad, një ish-profesor i Universitetit të Kolumbias, hyri në qeverinë amerikane gjatë administratës Carter, kur Shtetet e Bashkuara po fillonin mbështetjen e tyre për luftëtarët muxhahedinë afganë që luftonin me forcat sovjetike që pushtuan Afganistanin.

Zëvendësuesi i tij, zoti West, është një ndihmës i vjetër i Presidentit Biden, dhe ka shërbyer në ekipin e sigurisë kombëtare të zotit Biden kur ai ishte nënpresident./VOA

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull