Luftë juridike: Sovraniteti kombëtar përballë të drejtës së BE

8 Minuta Lexim

Kryeministri polak, Mateusz Morawiecki fajësoi BE para Parlamentit Europian, se po kalon kompetencat dhe mbrojti sovranitetin kombëtar. Eurodeputetët e fajësojnë atë se po cënon bazën e përbashkët ligjore të BE.

Mateusz Morawiecki e tejkaloi kohën e fjalimit, sepse dukej se donte të kapte dimensione të mëdha. Ai erdhi në Parlamentin Europian për t’i paraqitur kritikëve qëndrimin e qeverisë polake për kompetencat ligjore dhe politike të BE. Një qëndrim që është diametralisht i kundërt me atë të shumicës së eurodeputëteve dhe Komisionit Europian në lidhje me bazën e përbashkët të veprimit në BE. Një debat emocional i gjatë.

Grindje për sovranitetin kombëtar dhe të drejtën e BE

Para Parlamentit Europian dhe presidentes së Komisionit të BE, që kishte ardhur për t’i dalë ballë qëndrimit polak dhe të mbronte ligjshmërinë sipas BE, kryeministri polak, Morawiecki bëri thirrje që Europa të qëndrojë e bashkuar. Ai bëri një hyrje të gjatë fillimisht tek krizat ndërkombëtare që duhen tejkaluar dhe që kërkojnë bashkëpunim. Që nga mungesa e enegjisë tek migracioni deri tek agresioni rus. Ai pranoi, se anëtarësimi i Polonisë në BE i ka ndihmuar jashtëzakonisht zhvillimit ekonomik të vendit.

Pastaj Morawiecki kaloi në sulm. Në BE shihet gjithnjë e më shumë një tendencë që “vende anëtarë të trajtohen si të klasit të dytë”, që Polonia sulmohet në mënyrë të njëanshme nga institucionet e BE, dhe se për këtë ai nuk do të heshtë. Kryeministri polak mbrojti me forcë vendimin e kontestuar të Gjykatës Kushtetuese polake që e kishte porositur qeveria e tij. Sipas sistemit kombëtar të drejtësisë merr fund në Poloni kompetenca e Gjykatës Europiane për kushtetutën polake, kështu argumentoi Morawiecki, gjithçka tjetër është tejkalim i kompetencave që marrëveshjet europiane i japin Gjykatës së Luksemburgut. Në fund të fundit BE nuk është supershtet, por një aleancë shtetesh. Nëse kërkohet më shumë shumë, kjo duhet vendosur politikisht. Kryeministri polak bën pikërisht atë, prej së cilës paralajmërojnë juristët gjithmonë: Ai shkëput nga konteksti citate të gjykatave të tjera kushtetuese europiane për të provuar tezat e tij, se kudo në BE, gjykatësit më të lartë e kritikojnë përparësinë e vendimeve të Gjykatës Europiane.

Vërtet që ka grindje për raste të caktuara, por dallimi është se asnjëherë një Gjykatë Kushtetuese nuk e ka vënë në pikëpyetje kompetencën e Gjykatës Europiane në parim. “Shtete anëtare mbeten sovrane”, solli në mendje Morawiecki. Kjo nuk vihet në diskutim, por nga ky sovranitet ai nxjerr konkluzionin që në fund e drejta polake qëndron para asaj europiane. “Shteti ligjor është në Varshavë po aq i rëndësishëm sa në kryeqytetet e tjera”, deklaroi kryeministri, por ai përdoret si pretekst për të kërkuar gjëra nga vendet anëtare që nuk gjenden në marrëveshjet europiane.

Me sëpatë në themelet e BE

“Nuk bëhet fjalë për Poloninë, bëhet fjalë për politikën e kësaj qeverie polake”, deklaroi Manfred Weber, kreu i grupit parlamentar të Partive Popullore Europiane. Kristiandemokrati e sulmoi frontalisht kryeministrin polak. I gjithë debati është ndezur, kur qeveria polake filloi t’i bjerë “me sëpatë themeleve të pavarësisë së drejtësisë”. Shumë gjykatës në BE e shohin Gjykatën Kushtetuese polake si “fasadë”, tha Weber. Akuza është se qeveria polake ka vendosur në Gjykatën Kushtetuese gjykatës që i shkojnë pas asaj. “Kush e vë në pikëpyetje pavarësine e rendit ligjor praktikisht del si vend anëtar jashtë BE”, shtoi Weber.
Përkundër kësaj kryeministri polak kishte siguruar, se kryetitujt për Polexit nuk janë gjë tjetër veçse, gënjeshtra të motivuara politikisht. Kristiandemokrati Weber kujtoi, se “kushtetutat e vendeve anëtare janë fondamentale por rendi ligjor i BE është më i rëndësishëm se kushtetutat e veçanta.” E kjo është përcaktuar në marrëveshjet europiane. Ai kërkoi që Komisioni i BE dhe Këshilli i BE në grindjen që zien me Poloninë të “qartësojnë” sitiatën, pra të veprojnë. Eurodeputetët që morën fjalën e paralajmëruan qeverinë polake. Cilat ligje europiane janë kaq të padurueshme, pyeti eurodeputetja liberale holandeze, Malik Azmani: “A është liria e shtypit apo pavarësia e drejtësisë?” Kurse eurodeputetja e Të Gjelbërve, Ska Keller e shikon qeverinë polake në “një rrugë të rrezikshme” që po vë në dyshim shtyllat e rendit të përbashkët të së drejtës.

Kryeministri polak, Morawiecki pati mbështetje nga krahu i vet politik. Nicolas Bay nga populistët e “Rassemblement National” bëri fjalë për “një shumicë të majtë në Parlamentin Europian” ku ai futi edhe Partitë Popullore Europiane. Polonia merret peng”, nëse ndalen fondet e Coronës. Synime të tilla “janë të tmerrshme”, tha Bay. Ryszard Legutko, eurodeputeti luftarak i PiS bëri fjalë për “një tirani të shumicës”, që zhvillon luftë kundër qeverive konservatore në Europë. Ai e quajti përparësinë e së drejtës europiane një lodër monstruoze juridike.

Komisioni Europian do të veprojë

Vijat e frontit në Parlamentin Europian janë përcaktuar qartë sidomos me debatin aktual pas vendimit të gjykatës polake. Presidentja e KE, Ursula von der Leyen u shpreh me keqardhje, që kemi ardhur në një pikë të tillë, megjithë përpjekjet e shumta për dialog. Por tani, si roje e marrëveshjeve, ajo nuk do të lejojë “të vihen në pikëpyetje vlerat e përbashkëta” dhe premtoi se “ne do të mbrojmë ligjshmërinë me të gjitha mjetet.” Ajo përmendi arsenalin e BE: mund të niset edhe një procedurë e re ligjore e BE ndaj Polonisë për shkelje të marrëveshjeve, ka një mekanizëm të ri të kondicionalitetit në livrimin e fondeve të BE dhe në fund neni 7. Ursula von der Leyen u shpreh, se ajo e ka shtyrë këtë procedurë qëllimiisht prej vitesh për të shmangur konfrontimin me qeverinë polake. Një procedurë e tillë mund të përfundojë me heqjen e së drejtës së votës, që njihet si “opcioni nuklear” në grindjen parimore.

“Nuk ka hapësirë për kompromise në grindjen me Poloninë për shtetin ligjor”, siguroi Sekretari gjerman i Shtetit për Europën, Michael Roth në kuadër të një takimi me homologët e BE të martën. Mund të bisedohet, por në fund duhet një konfirmim i qartë tek bazat e përbashëta. “Nuk mund të ketë ‘deals’ të veçantë për Poloninë”, shtoi Roth. Samitet e ardhshme të BE do të tregojnë, nëse shtetet anëtarë do të jenë të gatshmë t’i hyjnë kësaj lufte me Poloninë./DW

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull