Sërish kokainë në kontenierët e “Alba Exotic Fruit”, ja ku ishte fshehur

2 Minuta Lexim

Policia e Durrësit ka kapur sërish kokainë në kontenierët e “Alba Exotic Group”.

Bëhet fjalë për një sasi prej 10 kilogram e 185 gramë lëndë narkotike, e fshehur në pjesën fundore, te kapakët e motorëve frigoriferikë të dy kontenierëve.

Droga ishte e ndarë në disa pako, teksa bëhet me dije se kontenierët e ngarkuar me banane ku ishte fshehur lënda narkotike kishin ardhur nga Ekuadori.

Kjo është hera e 5-të që në kontenierët e kësaj kompanie kapet sasi lënde narkotike.

Njoftimi i Policisë:

Port, Durrës/ Vijon operacioni policor i koduar “Rada”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike.

Sekuestrohet një tjetër sasi kokaine në një nga kontenierët e firmës “Alba Exotic Fruit”.

Në kuadër të operacionit “Rada”, të nisur më datë 13.07.2021, në Portin e Durrësit, ku nga Task Forca permanente e përbërë nga Policia Kufitare, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe autoritetet doganore të Portit është gjetur dhe sekuestruar lëndë narkotike kokainë, në një nga kontenierët për llogari të firmës “Alba Exotic Fruit”, tjetër sasi kokaine është sekuestruar ditën e sotme.

Në vijim të operacionit “Rada”, mesditën e sotme, nga Task Forca permanente që vepron në Portin e Durrësit, është ushtruar kontroll i imtësishëm në dy nga kontenierët e ngarkuar me banane, që kishin ardhur nga Ekuadori, për llogari të kësaj firme. Si rezultat i kontrollit të imtësishëm, në pjesën fundore, te kapakët e motorëve frigoriferikë të dy kontenierëve u gjet dhe u sekuestrua një sasi prej 10 kilogramë e 185 gramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë.

Task Forca permanente që operon në Portin e Durrësit dhe Drejtoria Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit vijojnë veprimet hetimore, nën drejtimin e SPAK-ut.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull