Si duhet ekuilibruar konkurrenca dhe bashkëjetesa në një botë me sfida të mëdha

8 Minuta Lexim

Nga Carl BILDT-

Po jetojmë në kohëra të vështira. Tensionet gjeopolitike po rriten, kryesisht por jo ekskluzivisht, midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara. Ndërkohë që ekziston një nevojë e thellë për bashkëpunim gjithëpërfshirës global për të luftuar pandeminë aktuale, dhe për të marrë masat ndaj kërcënimeve që paraqesin ndryshimet klimatike.

Mënyra se si fuqitë globale po i menaxhojnë këto kërkesa konkurruese mes tyre, do të përcaktojë edhe rrjedhën e zhvillimit global në vitet dhe dekadat e ardhshme. Gjatë javëve të fundit, Shtetet e Bashkuara dhe Kina janë përpjekur që të krijojnë disa ura të vogla bashkëpunimi,për të parandaluar daljen jashtë kontrollit të tensioneve dypalëshe.

Pas një takimi të fundit të zhvilluar në Zvicër me homologun e tij kinez, Yang Jiechi, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të SHBA, Jake Sullivan, foli për nevojën e një “konkurrence të përgjegjshme” midis dy vendeve, një shprehje elegante që nuk e kishim dëgjuar më herët.

Por sado e mirëpritur që të jetë kjo retorikë e zbutur, realiteti është se SHBA-ja dhe Kina janë ende të mbërthyera në një rivalitet të përshkallëzuar. Vendimi i Amerikës për furnizimin e Australisë me nëndetëset e saj bërthamore – dorëzimi i të cilave do të ndodhë pas shumë vitesh-është marrë enkas që të duket si një lëvizje e madhe strategjike kundër ekspansionit detar të Kinës.

Ngjashëm, në një takim 2-ditor në Pitsburg muajin e kaluar, zyrtarët e BE-së dhe SHBA-së përcaktuan një axhendë për bisedimet e reja mbi tregtinë dhe teknologjinë, duke e vënë theksin në mënyrë të veçantë mbi nevojën për marrjen e masave mbrojtëse kundër Kinës.

Në Uashington, po shtohen spekulimet për një pushtim të mundshëm kinez të Tajvanit.

Një Kinë gjithnjë e më autoritare dhe agresive nuk është shqetësimi i vetëm gjeopolitik i momentit. Edhe Rusia paraqet gjithashtu një kërcënim revizionist, me presidentin Vladimir Putin që bën herë pas here deklarata, të cilat sfidojnë hapur sovranitetin e Ukrainës, apo që hedhin dyshime mbi dobinë e diplomacisë në zgjidhjen e krizës në rajonin ukrainas të Donbasit, apo  çështjet që burojnë nga aneksimi i Krimesë nga Rusia.

Ashtu si shumë analistë në SHBA,që vërejnë me shqetësim zhvendosjen e Uashingtonit drejt luftës ndaj Pekinit për ishullin e Tajvanit, shumë ekspertë në Evropë shqetësohen se një përshkallëzim i ngjashëm mund të ndodhë me Rusinë për çështjen e Ukrainës.

Gjithsesi edhe në këtë rast duhet të jetë e qartë nevoja për bashkëpunim, për t’u përballur me sfida edhe më të mëdha sesa këto. Kur udhëheqësit botërorë të mblidhen në Romë në fund të këtij muaji për samitin e G20-ës, ata do të duhet të përballen me faktin se ne jemi ende vetëm në gjysmën e rrugës (në rastin më të mirë) në luftën tonë kundër pandemisë së Covid-19.

Në një samit të fundit të organizuar nga presidenti amerikan Joe Biden, përfaqësues nga më shumë se 100 qeveri, institucione ndërkombëtare, biznese dhe shoqërisë civile u angazhuan të vaksinojnë “70 për qind të popullsisë në çdo vend, dhe në cilindo kategori të ardhurash” deri në shtatorin e vitit të ardhshëm.

Por ky objektiv është ende shumë larg arritjes. Për momentin, afro 37 për qind e popullsisë globale është plotësisht e vaksinuar, dhe ka ende një pabarazi të dukshme dhe të rrezikshme midis vendeve me të ardhura të larta dhe atyre të ulëta.

Në fakt, vendet me të ardhura të larta kanë administruar 32 herë më shumë doza për banor sesa vendet me të ardhura të ulëta. E vërteta se motoja “askush nuk është i sigurt, derisa të jenë të gjithë të sigurt”, është më e  rëndësishme se kurrë më parë.

Nuk ka asnjë garanci që Varianti Delta, do të jetë mutacioni i fundit, që do të shkaktojë valë të reja epidemike. Kjo është një betejë midis njerëzimit dhe virusit. Ne duhet të mobilizojmë urgjentisht burime shtesë për të shpërndarë jo vetëm vaksina, por edhe teste dhe trajtime ndaj Covid-19.

Në këtë kontekst, nuk mund të injorohen kontributet e mundshme të Kinës. Ajo prodhon më shumë vaksina se çdo vend tjetër i globit, dhe do të luajë një rol kyç në çdo strukturë të re globale që do të ngrihet për të parandaluar apo luftuar shpërthimet e ardhshme epidemike (ku secila mund të jetë shumë më e rrezikshme se sa Covid-19).

Po kështu, kur udhëheqësit globalë të takohen për samitin e OKB-së për ndryshimin e klimës (COP26) në Gllasgou muajin e ardhshëm, ata do të duhet që ta kompensojnë kohën e humbur deri tani.

Një raport i kohëve të fundit nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë, ofron një tablo alarmante se sa punë e madhe duhet bërë për ta de-karbonizuar ekonominë globale. Këtë vit, ne do të përjetojmë rritjen e dytë më të lartë të emetimeve të dioksidit të karbonit në histori, duke mos treguar asnjë përparim domethënës drejt objektivit të zero emetimeve deri në vitin 2050.

Ç’është më e keqja, zotimet aktuale të qeverive, përbëjnë më pak se 20 përqind të reduktimeve të nevojshme që duhet të ndërmerren deri në vitin 2030, për ta mbajtur ngrohjen globale brenda kufirit të 1.5 gradë Celsius të temperaturës mesatare para-industriale.

Të gjithë duhet të bëjnë më shumë, por pak aktorë individualë janë aq të rëndësishëm sa Kina. Nëse ajo nuk e redukton varësinë e saj të madhe nga qymyri, objektivat globale nuk do të mund të arrihen dot. Njoftimi i fundit i Kinës, se do t’i japë fund financimit të projekteve që kërkojnë qymyrin si lëndë djegëse, është potencialisht shumë domethënës.

Vetëm ky hap, mund të zvogëlojë emetimet më shumë sesa Bashkimi Evropian, që premton të zerojë emetimet deri në vitin 2050. Por edhe atëherë, Kina dhe të gjithë të tjerët do të kenë më shumë për të bërë. Ashtu si me pandeminë, edhe ndryshimi i klimës e vendos gjithë njerëzimin në të njëjtën anë kundër një kërcënimi, që mund të dalë shumë lehtë jashtë kontrollit.

Sigurisht, tensionet e sotme gjeopolitike janë reale, dhe çështjet si Tajvani dhe Ukraina nuk duhet të neglizhohen. Demokracitë i kanë të gjitha arsyet, për të qëndruar të bashkuara kundër agresionit revizionist.

Por pandemia dhe ndryshimi i klimës, janë probleme që mund të adresohen në mënyrë efektive, vetëm nëse të gjithë janë të përkushtuar që të punojnë së bashku. Arritja e këtij rezultati, do të kërkojë një lidership të vërtetë global, dhe përparimi drejt tij duhet të jetë standardi përkundrejt të cilit duhet të gjykohet diplomacia.

Shënim: Carl Bildt, ish-ministër i Jashtëm i Suedisë në vitet 2006-2014, dhe kryeministër në vitet 1991-1994. Bildt ka qenë i dërguar special i BE-së në ish-Jugosllavi, dhe i dërguar special i OKB-së në Ballkan.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull