Një skandal në Komisariatin e Policisë rrugore i lënë në fuqi nga Ardi Veliu dhe Erion Ahmeti, vazhdon të mbajë në pritje dhjetra qytetarë që përballen me aksidente automobilistike. Ka katër vjet që ish titullarët e Policisë së Shtetit dhe tashmë edhe aktualët, nuk po emërojnë ekspertët e aksidenteve. Në këtë strukturë, organigrama parasheh katër specialistë ndërkohë që ekziston vetëm shefi, por pa ekspertët. Ky skandal lihet në fuqi prej katër vjetësh, me të vetmin qëllim që akt-ekspertizat t’i kryejnë ekspertët privatë.
Nga prokuroria është ngritur shpesh herë ky problem, por ka mbetur pa përgjigje dhe askush nuk reagon t’i japë fund kësaj shkeljeje të paprecedent.
Në të gjitha rastet qytetarët që pësojnë aksidente presin “pa durim” të vijnë ekspertët privatë, pasi ata të Policisë Rrugore nuk emërohen nga ish drejtori dhe ai i ish qarkullimit. Nuk ka pasur kurrë një precedent të tillë që për arsye dhe interesa private të defaktorizohet një strukturë e posaçme policore në policinë e shtetit. Deri sa do vazhdojë kjo gjendje?! Titullarët e rinj duhet ta rikthejnë strukturën e ekspertëve në funksionin e vet. Ky është detyrim ligjor.