Nga Lorenzo CREMONESI * –
Eksporti i armëve si vegël e efektëshme e politikës së jashtëme, nuk është një gjë e re. Por Turqia po e kthen në një nga kyçet e aktivizmit të saj në skenën ndërkombëtare. Pika e fuqisë janë dronet TB2, një model i ndërtuar nga kompania Baykar Marina, përgjegjësi i së cilës për risitë teknologjike, Selçuk Bajraktar, është i martuar me vajzën më të re të Rexhep Taip Erdoganit.
Që dy vjet më parë shërbimet e fshehta italiane në Libi kishin zbuluar se sa vendimtarë kishin qënë TB2 për të zbrapsur rrethimin e kolonave t’armatosura të Khalifa Haftarit së bashku me aleatët e tyre, rrogtarët rusë. Tani të njëjtët dronë janë duke u bërë njëra nga pikëmbështetjet e kryeministrit etiopian Abiy Ahmed për të shpëtuar Adis Abebën kundër përparimit të luftëtarëve të Tigrait. Vetë Ahmedi shkoi në gusht tek Erdogani për të firmosur marrëveshjen e bashkëpunimit ushtarak, fill mbasi ushtria e tij ishte thyer në Mekelle. Shpresat e tij duken të themelta.
TB2-të janë përdorur me sukses nga ushtarakët turq për të luftuar fuqitë kurde në Siri e në Irak. Një vit më parë të njëjtët dronë dhanë ndihmesë në fitoren e ushtarëve të Azerbajxhanit kundër atyre armenë në enklavën e diskutueshme të Nagorno-Karabakut.
Secili nga këta skenarë të luftës shërben si motorr reklamues për industrinë ushtarake turke. Aq sa Maroku, Tunizia, Shqipëria, Polonia e Kirgizia tashmë i kanë blerë e rradha e klientëve shtohet. Kushtojnë pak dhe kjo është e mirë, Teknikët turq kanë përfituar nga përkatësia e Vëndit të tyre në NATO, pra për hyrjen e lehtë në armët prodhuar në SHBA. Elementë që lejojnë të ndëpriten shpenzimet e kerkimeve. Sot çmimi i një TB2 përfshihet nga një deri në dy milion dollarë, pothuaj një e dhjeta e modelit të njëjtë të importuar nga Shtetet e Bashkuara. Veç asaj Washingtoni nguron të eksportojë dronët e tij. Ankaraja, në të kundërt, ka pak problemenë atë drejtim./ Corriere della sera- Përktheu: Eugjen Merlika- Marrë nga gazeta Dielli-SHBA/