Elitat e reja nën hijen e të vjetrave

2 Minuta Lexim

Nga Çapajev GJOKUTAJ-

Sali Berisha ka deklaruar dje se do të kthehet jo vetëm si kryetar i PD-së, por edhe si kryeministër i Shqipërisë. Pastaj ka shtuar se me të në krye PD-ja i ka në xhep zgjedhjet lokakale të 2022-shit. Kush njeh qoftë edhe a-në e komunikimit publik e kupton se deklarata të tilla s’kanë të bëjnë aq me të vërtetën sa me nevojën për nxitur anëtarët e kuvendit kombëtar që të marrin pjesë në mbledhjen e 11 dhjetorit dhe të votojnë shkarkimin e Lulzim Bashës. Berisha është në të drejtën e tij të faktorizohet si aktor kreu në politikën shqiptare.

Vetëm ashtu mund të jetë i sigurt se shpallja non grata nga administrata amerikane nuk do të pasohet nga ndonjë procedim i ndermarrë prej SPAK kundër tij a familjarëve. Gjithsesi lideri historik i demokratëve thotë se lëvizja e ndërmarrë prej tij synon reformim të thellë të PD-së dhe kthimin e saj në pushtet.

Edhe po të ishte e vërtetë kjo nuk mund ta fshihte dot një shqtësim më të gjerë: si ka mundësi që një parti me antarësi të konsiderueshme, pas tri dekadash eksperiencë e kërkon reformimin dhe shpëtimin nga riciklimi për herë të tretë i të njejtit lider? Shqetësimi që buron nga ideja e liderve të përjetshëm nxjerr në pah një problem thelbësor në funksionimin tonë si shoqëri: pse elitat e reja, të rritura në demokraci dhe të shkolluara kryesisht në perëndim, mbeten nën hijen e patriarkëve autoritarë? Dhe kjo duket se ndodh jo vetëm në të dyja krahët e politikës, por thuajse në te gjitha fushat e jetës. Në analizë të fundit pse si shoqëri jemi pjekur hënajashtë qoftë me meritokracinë, qoftë me konkurencën?

( Nga cikli ‘Selanik e tatëpjetë’ )

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull