FJALIMI I KRYEMINISTRIT SHQIPTAR NË 2030

5 Minuta Lexim
Sot në listëpagesën e qeverisë janë 35 koncesione, të cilat marrin 600 milionë euro cdo vit. Janë kontrata të qeverive të mëparshme…Deri më tani, të gjitha këto fatura i kemi mbuluar përmes rritjes së borxhit por…
Nga Klodian TOMORRI –
Të dashur qytetarë!
Vij sot para jush me zemër të rëndë. Siç e keni dëgjuar tashmë, Shqipëria është përfshirë nga një krizë e rëndë financiare. Kjo është një krizë që nuk erdhi nga hici, fatkeqësisht atë e kemi gatuar ne me duart tona.
Për shumë vite, qeveritë tona kanë jetuar përtej mundësive të tyre. Duke krijuar një parajsë imagjinare, ato na premtuan njëkohësisht taksa të ulëta dhe investime të mëdha publike. Të gjithë ne filluam të besonim se mund të mashtronim ligjet e ekonomisë dhe realitetin e ashpër të aritmetikës buxhetore. Dhe kështu pak nga pak mbollëm farat e kësaj krize.
Sot në listëpagesën e qeverisë janë 35 koncesione, të cilat marrin 600 milionë euro cdo vit. Janë kontrata të qeverive të mëparshme. Siç e dini, qeveria jonë anulloi disa prej tyre. Por ata na paditën në arbitrazh duke na marrë mbi 1 miliardë euro dëmshpërblime në dy vitet e fundit.
Deri më tani, të gjitha këto fatura i kemi mbuluar përmes rritjes së borxhit. Por gjatë viteve të fundit, teksa pesha e borxhit ndaj PBB-së shënonte rekorde të njëpasnjëshme, investitorët nisën të bëheshin nervozë dhe filluan të kërkonin interesa gjithmonë e më të larta.
Interesat e larta rritën koston e shërbimit të borxhit tonë publik duke iu bashkangjitur presioneve të shpenzimeve për faturat e koncesioneve. Si rezultat, ne e gjetëm veten në një rreth vicioz me deficit gjithmonë në rritje dhe besimin e investitorëve gjithmonë në rënie.
Për një kohë të gjatë ne i injoruam sinjalet e krizës. Qeveritë vazhduan të merrnin hua, edhe pse diferenciali mes interesave të borxhit dhe rritjes nominale të ekonomisë (i-g), ishte i lartë. Kur ekonomistët na thanë se kjo nuk mund të vazhdonte për shumë kohë, ne nuk i morëm asnjëherë seriozisht ata.
Ne shpresonim se duke investuar në projekte publike, paratë e marra borxh do të zgjeronin ekonominë duke e shlyer veten e tyre. Por fatkeqësisht shumë nga investimet e qeverisë rezultuan jo fizibël, ndërsa ato përmes PPP-ve kanë një bilanc edhe më të thellë negativ mes kostos dhe përfitimeve.
Të dashur qytetarë;
Krizat ngjizen për një kohë të gjatë, por përshkallëzohen shumë shpejt. Javën e kaluar, Ministria jonë e Financave tentoi të emetojë një Eurobond të ri prej 700 milionë eurosh, në mënyrë që qeveria të kishte mundësi për të financuar defiçitin. Por tregjet nuk e besojnë më Shqipërinë. Tashmë askush nuk pranon t’i jap më borxh qeverisë shqiptare.
Shumë nga ju pyesin se çfarë do të ndodhë tani?
Unë sapo jam kthyer nga një takim në selinë e FMN-së dhe jam i kënaqur t’iu jap një lajm të mirë. Pas bisedimeve me FMN-në, ne arritëm të siguronim një linjë kredie për të mos lejuar falimentimin e buxhetit. Por kjo kredi vjen me disa kushte:
1- Nga 1 janari pagat dhe pensionet ulen me 20%
2- Mosha e pensionit rritet 80 vjeç për burrat dhe 75 për gratë
3- Ndihma ekonomike nga viti i ardhshëm përgjysmohet
4- Tatim-fitimi, TAP dhe sigurimet rriten në 35%
5- Çmimi i energjisë elektrike dhe ujit rritet me 25%
6- Taksa mbi biznesin e vogël rritet në 20%, akcizat rriten me 15%
7- Shpenzimet publike në shëndetësinë dhe arsim ulen me 20%
Të dashur qytetarë,
Ne presim që 5 vitet e ardhshme të jenë të vështira për qindra mijë familje. Qeveria do të bëjë sa të mundet për të evituar rritje katastrofike të varfërisë, falimentim masiv të bizneseve dhe pamundësinë e qytetarëve për të patur shërbim shëndetësor. Por kjo nuk do të jetë e lehtë. Megjithatë, ne jemi një popull, që kemi kaluar shumë sakrifica në historinë tonë. Unë jam i bindur se edhe këtë herë do t’ia dalim.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull