Deklarate per shtyp:
Për herë të parë një produksion audiovizual i dedikuar lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes në Shqipëri
“Katrori i Pushtetit”, ndez një dritë reflektimi mbi të ardhmen që duam të kemi
“Katrori i Pushtetit”, komponenti i parë i nismës “Make it Visible”, që synon ndërgjegjsimin e të rinjve mbi rëndësinë e lirisë së medias.
Tiranë, Nëntor 2021 – “Era FILM” në bashkëprodhim me SHUKA Studio Ltd., me financimin e Bashkimit Evropian dhe në partneritet me Rrjetin “Barazi në Vendimmarrje” sjell për publikun shqiptar një produksion audiovizual për herë të parë kushtuar lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes në Shqipëri. “Katrori i Pushtetit”, një film me 8 seri, ndez një dritë reflektimi mbi të ardhmen që duam të kemi, duke bërë bashkë fijet e interesave që mbajnë lidhur Median – Politikën – Biznesin dhe Krimin. Brenda këtij katrori pushtetesh, zhvillohet përballja e madhe, mes ndërgjegjes për përmbushjen e një misioni të vështirë të gazetarit, gjetja e të vërtetës dhe sfidave për mbijetesë që imponon realiteti i përditshëm. Ky produksion audiovizual është komponenti i parë i nismës “Make it Visibile”, të financuar nga BE, e cila do të fokusohet në edukimin dhe ndërgjegjësimin e të rinjve mbi rëndësinë e lirisë së medias. Producentja Sabina Kodra dhe drejtorja ekzekutive e Rrjetit “Barazi në Vendimmarrje”, Edlira Çepani theksuan gjatë konferencës për mediat se vendosja në fokus këtë herë i medias shqiptare, në veçanti i sfidave që përjetojnë çdo ditë, vajzat dhe gratë në fushën e medias, synon të nxis diskutimin për një media të lirë dhe gjithëpërfshirëse. Diskutim, i cili do të jetë burim i rëndësishëm për rekomandime dhe nisma të tjera që mbështesin fuqizimin e mediave të lira, që do të kenë si kanal komunikimi të vazhdueshëm platformën online www.makeitvisible.al
Në projeksionin e 2 episodeve të para të këtij projekti, regjizori i “Katrorit të Pushtetit”, Robert Budina tha se eksperienca e tij profesionale dhe njerëzore, në përballje me mekanizmin e katrorit të pushtetit, ishte burimi prej nga ai mori ngacmimin për të rrëfyer shqetësimin si krijues, mbi mënyrën se si katrori i pushtetit shfaqet në jetën tonë të përditshme. “Përtej realitetit, ky projekt synon të ringjall besimin se media dhe gazetaria mbeten instrumenti i vetëm për të rrëfyer të vërtetën në favor të interesit publik pa kompromis.” – thekson regjizori Robert Budina.
Elva, tek të pesëdhjetat, Gentiana, 35 vjeç dhe Nina 25 vjeç janë tre gazetare të një televizioni informativ, të cilat bëhen bashkë për të hedhur dritë mbi tri ngjarje kriminale që ndodhin në vend, në të njëjtën kohë. Në kërkim të fillit që i bën bashkë interesat e biznesit me ato të politikës dhe botës së krimit, të tre gazetaret do të ekspozohen, secila në formën e vet me pasoja të rrezikshme për shkak të profesionit. Jetët e tyre kalojnë nëpër sfida të forta, jo vetëm në karrierë por edhe në familje.
Per informacion të mëtejshëm kontaktoni me
Sabina Kodra +355 697062900
ERA FILM Productions