Ministrat e Jashtëm të BE vendosin për sanksione të ashpra ndaj Bjellorusisë

4 Minuta Lexim

BE e ka humbur durimin në grindjen për migrantët me Bjellorusinë. Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare kanë krijuar mundësi të reja për t‘iu kundërvënë trukeve të diskutueshme të Lukashenkos.

Ministrat e Jashtëm të vendeve të BE-së kanë vendosur për një instrument të ri sanksionesh kundër atyre që janë të përfshirë në trafikun e migrantëve drejt Bjellorusisë. BE tani mund të shënjestrojë persona dhe institucione, që kontribuojnë, që regjimi bjellorus t’i përdorë njerëzit për qëllimet e veta politike, njoftoi këshilli i vendeve anëtare pas takimit të ministrave të Jashtëm në Bruksel.

Sanksionet e reja

Konkretisht ky instrument i ri mund të përdoret kundër shoqërisë ajrore bjelloruse Belavia. Kjo në të ardhmen nuk do të lejohet më të përdorë avionë të firmave europiane, që marrin avionë me qira. Qëllimi është, që Belavia të mos ketë më mundësi të transportojë kaq shumë njerëz nga vendet e varfëra apo vendet me konflikte për t’i trafikuar ata nga Bjellorusia për në BE.

Ndër shoqëritë ajrore, që i japin avionë me qira kompanisë shtetërore Belavia, janë sipërmarrja daneze Nordic Aviation Capital si dhe ajo irlandeze AerCap. Këto kompani tani druajnë se mund të humbasin para. Sipas të dhënave nga qarqe të BE-së, Belavia së fundi më shumë se gjysmën e 30 avionëve të vet i kishte marrë me qira.

Belarus Grenze zu Polen | Migranten | Zuspitzung der Lage

Sipas të dhënave të diplomatëve mundësitë për sanksione do të kenë në shënjestër fillimisht rreth 30 persona dhe sipërmarrje. Krahas Belavia në trafikimin e migrantëve janë të përfshirë edhe agjenci turistike dhe pjesëtarë të aparatit qeveritar në Bjellorusi. Vendimi zyrtar do të merret pas verifikimeve juridike, që do të bëhen gjatë ditëve në vijim. Ende është e paqartë nëse do të ketë sanksione edhe ndaj shoqërive ajrore të vendeve të tjera.

Eshtë po ashtu e paqartë, se çfarë do të bëhet me njerëzit, që ndërkohë ndodhen në Bjellorusi.Duhet të shqyrtohet, se sa i sigurtë është kthimi i tyre në atdhe dhe a mund të kthehen ata, tha ministri i Jashtëm i Lituanisë, Gabrielius Landsbergis. Por nuk është folur aspak për pranimin e këtyre migrantëve në vendet e BE-së.

Maas: “BE-së nuk mund t’i bëhet presion”

Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas u shpreh kundër pranimit të migrantëve në Gjermani. Eshtë e rëndësishme, që „ata të kthehen sërish në vendin nga kanë ardhur”. Maas e konsideron këtë si një sinjal të rëndësishëm ndaj Bjellorusisë dhe vendeve të tjera që eventualisht mund të ndjekin të njëjtin model, duke theksuar, “BE-së nuk mund t’i bëhet presion”.

Belarus Grenze zu Polen | Migranten | Zuspitzung der Lage

Qëkurse Polonia, Letonia dhe Lituania i kanë mbyllur kufijtë e tyre, situata në zonën kufitare është mjaft e tensionuar. Mijëra vetë nga vende si Siria apo Iraku presin shansin në këto kufij për të hyrë ilegalisht në BE. Mjaft e tensionuar është gjendja në kufirin me Poloninë. Në temperaturat nën zero gradë mijëra migrantë qëndrojnë prej ditësh në një kamp provizor në një pyll pranë vijës së kufirit bjellorus me Poloninë.

Merkel telefonon me Lukashenkon

Kancelarja Angela Merkel telefonoi me Lukashenkon, sikurse njoftoi zëdhënësi qeveritar Steffen Seibert. Sipas televizionit shtetëror bjellorus biseda zgjati rreth 50 minuta. Eshtë folur se si mund të parandalohet shkallëzimi i gjendjes. Po ashtu është folur edhe për mbështetje humanitare në zonën kufitare, ku ndodhen migrantët. Janë planifikuar edhe bisedime të mëtejshme./DW

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull