Pse Konica nuk mori pjesë në Kongresin e Manastirit

5 Minuta Lexim
Ajo që dihet është fakti se Faik Konica për alfabetin latin u angazhua pandërprerë për 14 vjet me radhë (1897 – 1909), duke shtruar një sërë problemesh gjuhësore në “Albaninë” e tij të famshme.
Faik Konica, një nga figurat më markante të letrave shqipe, një nga përfaqësuesit më të denjë të Rilindjes Kombëtare, njeriu që tërë jetën ia kushtoi kulturës shqiptare dhe që sot e kësaj dite, për shumë çështje mbetet i veçantë, fatkeqësisht nuk mori pjesë në Kongresin e Manastirit, edhe pse atë kohë ishte njeriu më kompetent për problemet që u shtruan në realizimin e projektit më madh kombëtar, përpilimin e një alfabeti të vetëm. Natyrshëm lind pyetja se pse nuk u ftua të merrte pjesë në punimet e Kongresit të Manastirit ky personalitet? Ekzistojnë disa mendime, por fare nuk do të gabonim nëse theksojmë se kjo mungesë pjesëmarrje ishte pasojë e përçarjeve të krijuar mes shqiptarëve për çështjet vitale të kombit.
Në fakt, ngjarjet treguan se në plan të parë kishin dalë interesat grupore, mbase edhe personale se kush do ta merrte flamurin e triumfit. Ajo që dihet është fakti se Faik Konica për alfabetin latin u angazhua pandërprerë për 14 vjet me radhë (1897 – 1909), duke shtruar një sërë problemesh gjuhësore në “Albaninë” e tij të famshme. U dëshmua se ishte një nga luftëtarët më të flaktë për njësimin e alfabetit shqip. Argument kryesor pati traditën e shkrimit të shqipes me alfabet të mbështetur në sistemin latin. Gjithë jetën e vet e kaloi në studime. Pati një potencial mendor të një shkencëtari të vërtetë dhe gjithë fuqinë shpirtërore ia kushtoi atdheut dhe popullit. Me mish e me shpirt iu përkushtua edhe alfabetit. Në një letër drejtuar linguistëve dhe albanologëve, Konica shtroi nevojën e unifikimit të alfabetit për të gjithë, pa përjashtim. Ata dijetarë i pyeti për tri çështje themelore, një nga të cilat ishte edhe kjo: a duheshin shkruar disa bashkëtingëllore që nuk i kishte alfabeti latin me një shkronjë apo me një bashkim shkronjash.
Luigj Gurakuqi, në një letër dërguar Fehmi Bej Zavalanit, më 8 tetor, 1908, mes tjerash, shkruante:“Të ndershmit kryetar të klubit Z Fehim Be Zavalani, Ju lutem të merreni vesh me të gjithë që të bëhet një Kongres i vetëm që të mblidhet në një vent… Për mua Manastiri është i mirë mjaft, në mos më i miri vent… Nga Elbasani më shkruajnë edhe se keni Ju qëllim që mos t’a ftoni në Mbledhje Faik Konicën, drejtorin e Albanies, së Londonit, unë nukë e ze besë këtë punë… Ju lutem edhe një herë që të thirrni të gjithë shkronjëtoret shqiptarë, e kryetarët e klubeve e shoqërivet kudo që të ndodhen, kështu që Mbledhja e Manastirit të dalë një Mbledhje Kombëtare e përgjithshme e që t’i japë funt një herë e përgjithmonë çështjes s’alfabetit”.
Revista “Albania” (1896), të cilën e themeloi dhe e drejtoi Konica, në vitet e para përdori një alfabet që paraqet mjaft afri (ngjashmëri) me alfabetin që adoptoi Kongresi i Manastirit, duke futur në punë edhe sistemin e diagrameve, edhe atë të shenjave diakritike. Konica u mbështet në baza teorike linguistike. Për hir të unitetit kombëtar, ai miratoi alfabetin e Shoqërisë “Bashkimi”, shfaqi mendime të favorshme dhe këshilloi përdorimin e tij. Konica kritikoi rëndë alfabetin e Shoqërisë “Drita” të Stambollit.
Luigj Gurakuqi, në një letër dërguar Fehmi Bej Zavalanit, më 8 tetor, 1908, mes tjerash, shkruante:“Të ndershmit kryetar të klubit Z Fehim Be Zavalani, Ju lutem të merreni vesh me të gjithë që të bëhet një Kongres i vetëm që të mblidhet në një vent… Për mua Manastiri është i mirë mjaft, në mos më i miri vent… Nga Elbasani më shkruajnë edhe se keni Ju qëllim që mos t’a ftoni në Mbledhje Faik Konicën, drejtorin e Albanies, së Londonit, unë nukë e ze besë këtë punë… Ju lutem edhe një herë që të thirrni të gjithë shkronjëtoret shqiptarë, e kryetarët e klubeve e shoqërivet kudo që të ndodhen, kështu që Mbledhja e Manastirit të dalë një Mbledhje Kombëtare e përgjithshme e që t’i japë funt një herë e përgjithmonë çështjes s’alfabetit”.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull