SALI BERISHA NË PRAG TË GODITJES PENALE

5 Minuta Lexim

Nga Spartak NGJELA –

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Yuri Kim, nuk ka qenë edhe një vit më parë kaq aktive për festën e pavarësisë së Shqipërisë. Sepse në këtë festë ajo ka folur me superlativa për Shqipërinë.
Po Saliu? Ai dëgjon, por në foltore nuk i thotë pro Shqipërisë ato që artikuloi edhe Yuri Kim.
I dëgjon; dhe është strukur. Pse? Se ambasadorja, siç duket, po i thotë: ti Sali nuk i thua dot këto fjalë kaq të larta për Shqipërinë, se nuk të lënë.
Pse? Sepse, siç po duket, amerikanët janë në prag të denoncimit të dokumenteve kundër tij.
l.
S’është aspak e rastit kjo lloj diplomacie. Ambasadorja ishte kudo, dhe kudo ka folur për Shqipërinë dhe Amerikën. Asnjë ambasador amerikan nuk ka folur kështu; por edhe tekstet e ambasadores nuk janë të thjeshtë.
Ajo ngre lart Shqipërinë dhe miqësinë me Shtetet e Bashkuara. Por, brenda teksteve të saj, duket se ka më shumë se kaq.
Pse ky shpërthim i papritur proshqiptar i Amerikës? Pse këto foto shumë shprehëse të ambasadores Yuri Kim, me flamurin kombëtar shqiptar dhe me figurat e mëdha historike?
Por, ka edhe më, sepse këto janë të lidhura edhe me përshëndetjen e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, që flet për Shqipërinë dhe, brenda tekstit të tij, ai prek edhe luftën kundër korrupsionit shtetëror në Shqipëri. Atëherë çfarë është kjo?
Pse, a nuk ishte edhe në tekstin e aktit nongrata korrupsioni si motivi kryesor i aktit juridik të Departamentit të Shtetit kundër Sali Berishës?
Atëherë?
Mos ndoshta kjo po tregon se Sali Berisha qenka afër goditjes penale.
ll.
Edhe ambasadorja Kim e bën një lidhje të tillë.
Por ambasadorja, në përshëndetjet e saj ka si nëntekst edhe figurat kombëtare që janë përplasur dhe kanë humbur jetën nga agresioni serb. Rastësi të jetë kjo?
E pra; çfarë kanë si nëntekst këto?
Asgjë tjetër; veçse luftën kundër korrupsionit të lartë në Shqipëri.
Por; është e provuar se, ky korrupsion i lartë shtetëror në Shqipëri, ka pasur gjerësisht përkrahjen në para të Serbisë.
Dhe nuk janë pak ata pushtetarë shqiptarë që janë paguar nga Beogeadi, në këta tridhjet vjetët e fundit. Kurse, këto ditë, politika e lartë amerikane, indirekt, sikur po e përmend me kast këtë.
lll.
“Shqipëria ka mbrojtjen e Amerikës”, thanë liderët amerikanë në urimet e tyre për festën e pavarësisë; dhe Shqipëria është futur kohët e fundit edhe si anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. E kuptoni se sa është ngritur Shqipëria ndërkombëtarisht?
Dhe sërish duhet theksuar se; ajo që spikat në urimet për festën; domethënë nëpër ato që erdhën nga Uashingtoni, gjithmonë përmendet korrupsioni i lartë shtetëror aktual.
Prandaj, duke qëndruar te ky fakt; themi sërish që kjo po na tregon se jemi në kohën kur SPAK-u do të fillojë goditjen penale antikorrupsion.
IV.
Por, me kë do të fillojë goditja penale? Sepse krekot e korrupsionit të lartë shtetëror në Shqipëri janë të shumtë në numër?
Kjo duhet parë kur të goditet i pari.
Dhe po duket se, ajo ditë, qenka shumë e afërt.
Gjithsesi ne po arsyetojmë me sens logjik rreth asaj që shpalosi politika e lartë amerikane, kur, në të gjitha urimet për festën e 28 Nëntorit, ajo prekte luftën antikorrupsion.
Prandaj, sipas të gjitha atyre që shprehëm më lart, përfundimisht na duhet të pyesim edhe një herë: a jemi tamam në kohën e nisjes së goditjes penale kundër korrupsionit në Shqipëri?
Sipas arsyetimit tim, të dhënë në këtë shkrim, mendoj se jemi tamam në kohën kur do të fillojë goditja penale antikorrupsion në nivelet shumë të larta të politikës shqiptare…

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull