Biznesmeni dhe ish-bosi i kompanisë së naftës “ARMO”, Rezart Taçi, reagon pas shpalljes në kërkim ndërkombëtar nga SPAK për një skemë të madhe të pastrimit të parave. Në një bankë shqiptare u bllokuan mbi 18 milionë euro të transferuara nga Italia, ky dyshohet si i përfshirë dhe Taçi.
Ish-bosi i “ARMOS” i ka cilësuar akuzat tërësisht të pabaza.
“Unë nuk arrij ta kuptoj se si mund të nxirret ndaj meje një urdhër i tillë arresti. Nuk ka asnjë provë, asnjë fakt. Është një vendim tërësisht i pakuptimtë”, ka thënë Taçi i pyetur nga Albanian Post. Biznesmeni ka folur dhe me sipërmarrësin italian.
Rezart Taçi thotë se nuk ka asnjë lidhje me biznesmenin italian Francesco Zummo, siç njofton SPAK, madje as nuk e njeh 90 vjeçarin dhe nuk e ka idenë se kush ai është.
Ndërsa, mbi vendimin për masën “arrest në burg”, ai deklaroi se do ta ankimojë menjëherë dhe ka vënë në lëvizje avokatët e tij për këtë çështje. Taçi ka theksuar se nuk ndodhet në Shqipëri personalisht, por hapat e mëtejshëm do t’i ndjekin përfaqësuesit e tij ligjorë.
Akuzat ndaj Rezrat Taçit dhe personave të tjerë
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, mbi bazën e informacioneve dhe verifikimeve kryesisht, ka regjistruar procedimin penal nr.211 viti 2021, për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga neni 287, paragrafi (1), shkronjat (a), (b) dhe (dh), nenet 28/4, 333/a/2, 334/1 të Kodit Penal.
Nga veprimet hetimore të kryera për këtë procedim penal, në bashkëpunim me policinë gjyqësore të Drejtorisë së Policisë së Shtetit, në bashkëpunim dhe në koordinim me Drejtorinë Distrektuale Antimafia në Prokurorinë e Republikës në Gjykatën e Palermos, Itali, janë siguruar dhe janë mbledhur prova konkrete, nga të cilat janë krijuar dyshime të arsyeshme për organizimin dhe funksionimin e një operacioni kompleks financiar ndërkombëtar të kundërligjshëm, të shtrirë në disa shtete të ndryshme, që ka pasur si qëllim “pastrimin” e një shume monetare të konsiderueshme që përbën produkt të veprimtarisë kriminale.
Janë mbledhur prova se kjo skemë financiare është drejtuar nga shtetasit italian F.Z. dhe I.Z., në bashkëpunim me shtetasin italian F.P., të shtetasit zviceran me origjinë italiane D.C., si dhe të shtetasit shqiptar R.T., i përfshirë në biznese në sektorin e naftës. Ky i fundit në funksion të kryerjes së kësaj veprimtarie ka angazhuar në këtë veprimtari personat e vet të besuar, rezidentë në Shqipëri, respektivisht shtetasin A.B. dhe shtetasin B. L.
Nisur nga të dhënat e publikuara nga media italiane, KETO jane emrat e gjithë personave të përfshirë në këtë skemë të madhe të pastrimit të parave, shqiptarë dhe italianë, të cilët janë si më poshtë:
- Rezart Taçi – I shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi është konfirmuar se ndodhet jashtë Shqipërisë
- Artur Balla – I arrestuar, njeri i besuar dhe familjarë i Rezart Taçit
- Bledar Lilo – I arrestuar, truproja i Rezart Taçit. (Bashkë me Ballën vepronin në emër të Taçit)
- Francesco Zummo – Në arrest shtëpie në Itali, i përfshirë në këtë skemë mashtrimi
- Ignazio Zummo – Djali i biznesmenit 90 vjeçar, gjithashtu i dyshuar si i përfshirë në këtë skemë pastrimi parash
- Fabio Petruzzella – I arrestuar në Itali, kontabilisti që dërgoi 19 milionë eurot në Shqipëri
- Daniele Castagalli – Shtetas italo-zviceran, nën hetim si i përfshirë në këtë skemë pastrimi parash/Newsbomb.al