TUNELI I LLOGARASË NIS ME 30 MILIONË EURO ABUZIM

4 Minuta Lexim

Nga Bujar LESKAJ * –

Sot kryetari i sektit qeverisës përuroi nisjen e punimeve në tunelin e Llogarasë. Përpara se të mburrej për këtë investim sipas tij “elitar”, Lideri Global duhet t’u shpjegonte shqiptarëve faturën e lartë me të cilën po nis kjo vepër publike, e cila ndërtohet tërësisht me paratë e taksapaguesve të këtij vendi.

Ministria e Infrastrukturës, e cila mund të përkthehet lehtësisht në ministria e keqmenaxhimit, duhet t’u japë përgjigje qytetarëve përse në garën për Tunelin e Llogarasë, një garë e nisur që më 20 qershor 2020 dhe e shtyrë tre herë në mënyrë të pashpjegueshme, zgjodhi ofertën me vlerë 140 milionë euro, kur në mars të vitit 2021, për këtë prokurim, refuzoi një ofertë me vlerë 110 milionë euro të një konsorciumi të përbërë nga një kompani turke dhe një shqiptare?

Dëmi ekonomik dhe abuzimi në këtë vepër është jo pak, por 30 milionë euro! Progres-Raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë thekson se “Autoriteteve kontraktuese u mungon aftësia për të menaxhuar proceset e prokurimit publik në mënyrë efektive. Përputhshmëria me ligjet është ende përgjithësisht e dobët, veçanërisht në procedurat më komplekse”, (Progres Raporti 2020, Kapitulli 5 “Prokurimi Publik”, faqe 69, paragrafi i dytë).

Një shqetësim të ngjashëm dhe të lidhur direkt me korrupsionin ngre raporti zyrtar i Departamentit Amerikan të Shtetit i vitit 2021 për klimën e investimeve në vend, kur cilëson se “Raportet e korrupsionit në prokurimet qeveritare janë të zakonshme… Analizat e dobëta kosto-përfitim dhe mungesa e ekspertizës teknike në hartimin dhe monitorimin e kontratave PPP janë shqetësime të vazhdueshme.” (Raporti “Deklaratat e klimës së investimeve. Shqipëri 2021”, fq. 7, www.state.gov/reports/2021-investment-climate-statements/albania/) .

Edhe pse flet për turizëm elitar, Lideri Global nuk ka moral të shesë, as zgjidhje të ofrojë, për dukurinë e trukimit dhe abuzimit ekstrem me tenderët publikë, sidomos me ata me vlerë të lartë, si Tuneli i Llogarasë. Të gjitha prokurimet dhe tenderat me vlerë me dhjetëra e qindra milionë euro janë larg standardeve të BE-së me vite dritë, madje larg edhe të konsideruarit mjaftueshëm transparentë dhe garantues të konkurrencës së lirë.

Historia e tenderit të Tunelit të Llogarasë, të deklaruar si i realizuar tre herë që nga qershori 2020 e deri tani dhe të fryrë me 30 milionë euro që nga marsi 2021(për këtë shpjegim duhet të japë Ministria e Infrastrukturës), e dëshmon këtë. Kjo vepër, për fat të keq të të gjithë shqiptarëve, nuk është parathënia e turizmit elitar, por shëmbëlltyra e shëmtuar e korrupsionit elitar të sektit Rama!

Sot Lideri Global dhe sekti i tij duken si të fortë, por nuk duhet të harrojnë thënien lapidar të babait të demokracisë amerikane, presidenti Abraham Linkoln, se “Një shtetar mund të mashtrojë disa nga njerëzit gjatë gjithë kohës, si dhe të gjithë njerëzit në ndonjë kohë, por nuk mund t’i mashtrojë të gjithë njerëzit gjatë gjithë kohës ”.

Ne si opozitë faktet do të vazhdojmë t’i prezantojmë, pasi të kërkojmë edhe zyrtarisht nga Ministria e Infrastrukturës dokumentet përkatëse të refuzimit të ofertës në mars të vitit 2021 dhe përse në harkun kohor të shtatë muajve pranohet një ofertë 30 milionë euro më e lartë, e cila përbën dëm ekonomik dhe abuzim të pastër me paratë e taksapaguesve shqiptarë.

*  lsh Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull