64-vjeçari Pashko Ujka, ish deputet dhe ish kryetar i Komunës Velipojë, nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të marra, si pasojë e plumbave të marra në shpinë, pas goditjes me armë me silenciator. Lajmin e raporton “Sot News”, sipas të cilës me gjithë ndërhyrjen e mjekëve, Ujka ka ndërruar jetë pak minuta pas atentatit që iu bë pranë banesës së tij.
Policia ndërkohë është vënë në kërkim të autorit dhe ka ngritur disa postblloqe për kapjen e tij. Po kështu janë sekuestruar dhe pamjet e kamerave të sigurisë pranë vendit të ngjarjes, megjithëse moti i keq vështirëson qartësinë e tyre.
Ngjarja ndodhi rreth orës 18:15 në lagjen “Vasil Shanto” në Shkodër. Janë ende të paqarta rrethanat e ngjarjes dhe grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për sqarimin e tyre.