Dekorimi, “Mjeshtër i Madh”, për Engjëll Daklin , ish-kryebashkiak i Elbasnait
Nga Hyqmet Zane
Dekorimi sot, me titullin “Mjeshtër i Madh”, një vit pas ndarjes nga jeta për Engjëll Daklin nga Presidenti Ilir Meta, është një akt dinjitoz. Kjo, për një personalitet – ish deputet, ish Ministër i Punëve Sociale, ish kryebashkiaku i Elbasnait.
Vlerësimi i Presidentit Ilir Meta është në vazhdën e shumë vlerësimeve që ky President i bën qytetarëve shqiptarë me kontribute ndër vite. Kjo, është bërë, jo thjeshtë për Engjëll Daklin, por për një familje të nderuar historikisht në Elbasant.
Nuk ka qytetar elbasanas, por edhe shumë e shumë të tjerë në të gjithë Shqipërinë, por edhe të huaj që e kanë njohur personalisht Engjëllin. Ata do të mund të kenë kënaqësinë, të shprehin respektin e merituar dhe vlerësimin maksimal në mënyrë të veçantë për gjithë atë punë të ndershme, për atë angazhim të madh, për të gjithë atë potencial mendimesh, që ka transmetuar në të gjithë aktivitetin Engjëll Dakli në vitet e demokracisë.
Si mik i tij që kam punuar në Bashkinë Elbasan në vitet 1996 – 2000, e njoh mirë fuqinë e një njeriu që ka menduar dhe punuar gjithnjë qytetarisht dhe me sens human, jo partiak, por ashtu siç njihet familja Dakli.