Elbasan – Shpallet në kërkim, gjendet e vdekur në pyll
Një ngjarje e rëndë është regjistruar sot në një fshat të largët të bashkisë së Elbasanit. Bëhet e ditur se është gjendur e vdekur në mes të pyllit një grua. Ajo është banuese në fshatin Zavalinë, rreth 40 kilometra larg nga qendra e qytetit. Më herët ajo ishte shpallur në kërkim, “Për largim nga banesa”. Burimet policore bëjnë me dije se sot më datë 13.12.2021, rreth orës 13:10, në fshatin Zavalinë, Elbasan, është gjetur e pajetë, në pyll, pa shenja dhune, shtetasja P. B., 54 vjeçe, banuese në fshatin Zavalinë.
Sipas burimit në fjalë, kjo shtetase ishte shpallur në kërkim për largim nga banesa, pasi më datë 12.12.2021, rreth orës 16:00, shtetasi Th. S., 30 vjeç, banues në fshatin Zavalin, Elbasan, ka bërë kallëzim se ishte larguar nga banesa, tezja e tij, shtetasja P. B., 54 vjeçe, banuese në Zavalin. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.