Tenderat e infrastrukturës janë shndërruar në një histori horrori, ku ekzekutohet paraja publike. Veçanërisht në dy vitet e fundit, Qeveria është duke zbatuar një program agresiv investimesh publike në infrastrukturë, një pjesë e të cilave po financohen me rritjen e borxhit…
Nga Klodian TOMORRI –
Në 17 nëntor Autoriteti Rrugor Shqiptar zhvilloi një tender për përfundimin e punimeve në rrugën Ura e Kranesë – Qafë Botë etj. Fondi limit i parashikuar për këtë vepër ishte 1.4 miliardë lekë ose rreth 11.4 milionë euro.
Në garë u paraqitën 7 oferta, nga të cilat tre ishin nën 8 milionë euro. Por u skualifikuan të treja. Po ashtu u skualifikua dhe oferta e katërt. Tenderin e fitoi oferta e pestë, ajo e bashkimit të kompanive Agbes Construksion, Mela dhe Alb Shpresa.
Këto kompani kanë ofruar që ta ndërtojnë rrugën me një çmim 11.1 milionë euro. Pra në garë kishte tre oferta me 8 milionë euro, por tenderin e fitoi kompania me ofertë 11.1 milionë euro. Mbi 3 milionë euro të fshira me një dorë.
Tenderat e infrastrukturës janë shndërruar në një histori horrori, ku ekzekutohet paraja publike. Veçanërisht në dy vitet e fundit, qeveria është duke zbatuar një program agresiv investimesh publike në infrastrukturë, një pjesë e të cilave po financohen me rritjen e borxhit. Por thuajse në të gjitha prokurimet përsëritet e njëjta skemë. Skualifikim i ofertave të ulëta dhe shpallje fitues e ofertave më të larta.
Në rrugën e Aeroportit të Vlorës fitoi oferta e 11-të. U skualifikuan 10 oferta sepse nuk kishin infermier. Në rrugën e Porto Romanos fitoi oferta e pestë, ndërsa në tenderat e Unazës së Tiranës gara ishte mbyllur pa filluar. Vetëm në këto tendera janë tretur mbi 30 milionë euro, para të qytetarëve.
Tashmë absurdi është bërë aq i madh sa që kompanitë e skualifikuara në vepra pa ndonjë vështirësi inxhinierike për mosplotësim kriteresh, fitojnë vepra komplekse shumë më të vështira dy ditë më pas. Ose e anasjellta.
Kjo është gjakderdhje e pastër financiare, siç pati thënë dikur një ish ministër socialist. Potencialisht, sot çdo tender në infrastrukturë, është dosje e gatshme për në SPAK. Por SPAK me sa duket ka prioritete të tjera.
Tenderi për kanalin e Bishqethëmit andej nga Lushnja, me vlerë totale vetëm 200 mijë euro, deri tani ka çuar në burg më shumë njerëz se sa “Maxi Processo” ndaj Cosa Nostra-s. Këtej nga elita, vetëm diferencat mes ofertave në një tender janë mbi 3 milionë euro. Por siç thotë një miku im: Në Shqipëri, burgu është për hajdutët e vegjël. Hajdutët e mëdhenj quhen reformatorë vizionarë.
Për ironi, para disa muajsh kryeministri i pati paralajmëruar publikisht kryetarët e bashkive; Merrni shembull nga tenderat e infrastrukturës, përndryshe do të përfundoni në burg. Tani u takon kryetarëve të bashkive, që të bëhen edhe ata reformatorë me vizion. Përndryshe SPAK-un e kanë pas veshit.