Nga Çapajev GJOKURTAJ-
Vilson Braja nuk është më, iku me një modesti ngashënjyese ashtu siç edhe jetoi.
E di që për shumicën e miqve të mi virtualë ky emër nuk thotë gjë, megjithatë ishte njeri me Nj të madhe. Zemërartë e duarflori. E bëri të lumtur jetën e Polit, motrës sonë të madhe. Deri pak ditë para se tumori t’i meirrte gojën, s’reshti duke i thënë shprehjen e tij të preferuar ‘të dua shumë, mos harro!’.
Punoi gjithë jetën si marangoz, mjeshtër e shkuar mjeshtrit, ç’i shihte syri ia bënte dora. Kishte një intuitë të çmuar prej konstruktori, që në rrethana të tjera jetësore mund ta kishin bërë të njohur e të pasur.
Punoi derisa bëri 72 vjet, vitet e fundit la edhe dy gishtrinj në sharrë, atje në Athinë, ku bënte jetën e emigrantit, por me qasjen e tij prej babaxhani, duhet thënë ‘ku gëzonte jetën’.
Më ka mbetur në mend një detaj që ma pat treguar kohë të shkuara. Vitet e para si emigrant mbanin edhe një mace në shtëpi. Një darkë, kur veç mishit, porositi edhe ca sallam të lirë, shitësi grek me dashamirësi i tha: edhe macen kishe mangut, o i gjorë. Po Vilsoni e dinte mirë ç’qe shpirtërorja e ç’qe materialja.
U kthye nga kurbeti që të kalonte vitet e fundit në Tiranë. Kishte llogaritur gjithçka, edhe shpenzimet e funeralit.
Iku modestisht, po kurdoherë do të na shfaqet në kujtesë si NJERI dhe qoftë neve, pjesëtarëve të vëllazërisë, qoftë Polit, Lidës, Almës, Danait, Klitit, Donit e Jorgos, do na sjellë në mend se jeta është punë e sakrificë, por mbi të gjitha është dashuri e përkushtim për tjetrin.
Jam i bindur se edhe në jetën tuaj të dashur miq e mikesha, njerëz të tillë s’janë të paktë. Mbase bëjmë mirë të vrasim mendjen pse mungojnë thuajse tërësisht në hapësirat publike e mediatike…