Modeli i “dy qarkullimeve” i afirmuar në arritjet e OBT-së

6 Minuta Lexim

Nga Aleksandër ÇIPA-

Modeli i “dy qarkullimeve” është çelësi funksional i ekonomisë së sotme kineze. Një rritje e vazhdueshme ekonomike, e dëshmuar përmes treguesve në tregun vendas dhe atë ndërkombëtar, po i jep përditshmërisht ekonomisë kineze rol parësor dhe autoritet udhëheqës në nivel të ekonomisë globale. Ka 20 vite që Kina është pjesëtare e OBT-së (Organizatës Botërore të Tregtisë). Në këto dy dekada, Kina ka vijuar me perspektivën e saj të një rritjeje të planifikuar ekonomike dhe në qendër të saj ka vendosur pikërisht modelin e “dy qarkullimeve”.

Një vijimësi sfiduese edhe për vetë përvojën ekonomike të Kinës. Është tejkaluar tabuja e koncepteve të ekonomisë politike kineze të së shkuarës, duke iu përkushtuar principit të një ekonomie që përmes shtrirjes së brendshme dhe të jashtme të shumëfishojë interesin dhe kapitalin kombëtar, si ekonomik ashtu edhe atë financiar. Ky model progresivisht ka forcuar ndikimin e saj mbi tregjet, dhe madje prej disa kohësh strukturën e dominancave mbi to e ka ndryshuar në favor të interesit kinez dhe ka projektuar ndryshime të afërta të kësaj strukture, e cila globalisht paraqitet e paqëndrueshme dhe me diferenca të theksuara statistikore dhe sidomos financiare.

Zbatimi i modelit “me dy qarkullime” po dimensionon vektorin e hapjes vijuese së saj. Lista e arritjeve tregtare kineze konfirmohet prej të gjitha hartave dhe bilanceve tregtare rajonale dhe ndërkombëtare. Në këtë strategji të shtrirjes ekonomike, zëri i zgjerimit tregtar ka qenë “korife” i fuqizimit kinez dhe i energjisë së shtuar ndikuese të saj mbi rajone të tjera, sikundër është edhe Europa, e cila më herët karakterizohej dhe ende vijon të mbetet në një konservatorizëm që në themel buron prej doktrinës politike perëndimore. Zgjerimi tregtar i bashkëshoqëruar me përmirësimin intensiv të zinxhirit industrial, përbëjnë forcën mishëruese të fuqisë ekonomike kineze. Në analizë të kësaj rritjeje, duket se reminishenca e pohimit të njohur në shtypin amerikan se “është ekonomia e para, o…”, duhet perifrazuar “është ekonomia në epiqendër për Kinën!”

Koha 20 vjeçare e anëtarësisë së Kinës në OBT është vlerësuar prej institucioneve më të larta politike dhe ekonomike të saj si një referencë e argument i fuqishëm analize. Autoritetet më të larta të vendit nuk janë përqendruar vetëm tek efektiviteti i diplomacisë ekonomike, por edhe tek treguesi më befasues i këtij përfaqësimi që lidhet me ndryshimet madhore si për Kinën, por veçanërisht dhe për Botën. Operatorë të rëndësishëm të ekonomisë botërore, si dhe media prestigjioze kanë vlerësuar faktin se përgjatë kësaj periudhe, kontributi kinez ka patur një efekt pozitiv edhe për ekonomitë e tjera të “zinxhirit global”. Konkurrimi kinez i tregut është përfshirë në të gjitha fushat kapitale, duke shkaktuar përmirësime strukturore dhe garimi në strukturën industriale. Kapitali dhe teknologjia kineze kanë qenë një shtysë e fuqishme për revolucionin teknologjik ndërkombëtar.

Në cilësinë e të qenit anëtare e OBT-së, Kina ka fituar një rol protagonisteje në nivel ndërkombëtar, sikurse ka rritur volumin dhe peshën specifike të ndërshkëmbimit me vendet e tjera. Treguesit zyrtarë flasin për statistika që e pasqyrojnë tërësinë e kësaj rritjeje dhe impaktin në rrjetin e madh ekonomik ku është përfshirë dhe zgjeruar tregtia kineze. Krahasimet statistikore zyrtare të publikuara periodikisht nga OBT, e dëshmojnë në mënyrë të vazhdueshme këtë rritje dhe zgjerimin e autoritetit marketues të ekonomisë dhe tregtisë së saj. Ndërmarrjet private të Kinës janë pjesë potenciale e fuqisë dhe zhvillimit ekonomik në akordin e brendshëm dhe të jashtëm. Vetëm fakti i publikuar së fundmi, se për periudhën pas hyrjes në OBT, ky vend përmes rrjetit të ndërmarrjeve private ka përfituar një kontribut “për mbi 50% të tatimeve, 60% të GDP-së dhe mbi 70% të risive teknologjike”, dëshmon mundësitë e suksesit të kësaj ekonomie të madhe.

Periudha e politikës së reformës së hapjes së Kinës është njëherësh një udhëtim në rrugën e ndërkombëtarizimit dhe integrimit në tregun global. Kjo rrugë nuk ndau ritmin mes dy pistave të saj, atij të zhvillimit me qarkullimin e brendshëm dhe atij të jashtëm. Për këtë arsye modeli i “dy qarkullimeve”, po shpërfaqet në arenën e tregut që bashkon vendet e OBT-së, si afirmim dhe madhim potencial. Autoriteti tregtar dhe ai financiar së bashku, në këtë zgjerim ndërkombëtar të Kinës, po ballafaqon aktualisht jo vetëm konceptet për modelet ekonomike, por më së shumti edhe substancialisht politikat ekonomike. Në disa aspekte ky model dhe rezultatet shtuese të tij, brenda anëtarësisë shumëkombëshe të OBT-së, ka riaktivizuar debate dhe konceptualitete të reja për modelet ekonomike.

Në këtë kuadër, Kina ndjek me konsistencë dialogun ekonomik dhe financiar duke ia dalë që me shumë prej vendeve kryesore të tregjeve globale të zbatojë konsensuset e arritura mes krerëve shtetërorë. Koncepti kinez i modelit për pragmatizëm dypalësh apo shumëpalësh, si dhe për pasurimin e përbashkët, po materializohet si doktrinë tregu dhe realiteti ekonomik. Në debatin global dhe sidomos në përballjen me konceptet perëndimore, ky pragmatizëm i Kinës i mishëruar në sistemin aktual të ndarjes dhe efektivitetit tregtar, mund të konsiderohet si avantazhi që e afirmon edhe brenda bashkësisë së OBT-së.

 

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull