Çmimet që drejtuesit e mjeteve do të paguajnë për sigurimin e detyrueshëm të mjeteve do të diferencohen bazuar në faktorët që ndikojnë në rrezikun për të shkaktuar dëme.
Në projektrregulloren “Për përcaktimin e nivelit të provigjoneve teknike dhe të faktorëve të riskut për produktet e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit”, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) ka përcaktuar një listë të faktorëve të riskut që kompanitë e sigurimeve duket të përdorin për të llogaritur primet që drejtuesit duhet të paguajnë për të siguruar mjetet e tyre.
Kjo projektrregullore është akoma në fazë diskutimi dhe u është dërguar për mendim kompanive të sigurimit.
Faktorët e propozuar nga AMF janë mosha e mjetit, fuqia motorike, qarku ku është regjistruar mjeti motorik, burimi i energjisë së mjetit (elektrike apo jo elektrike), mosha e të siguruarit dhe eksperienca në drejtimin e automjetit. Faktorë të tjerë që rekomandohen të zbatohen nga shoqëritë e sigurimit janë Bonus-Malus (historiku i dëmeve), qëllimi i përdorimit të automjetit, distanca vjetore e përshkruar si dhe faktorë të tjerë të riskut që bëjnë të mundur diferencimin e primit në bazë të riskut që mbart i siguruari.
Ashtu siç parashikon ligji i ri për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit (që hyri në fuqi në korrik të këtij viti), sistemi Bonus-Malus mund të përdoret në mënyrë vullnetare nga kompanitë e sigurimit. Megjithatë, siguruesit janë shprehur qartazi se nuk kanë asnjë dëshirë të aplikojnë sistemin Bonus-Malus në kushtet e tregut shqiptar, ndaj nuk pritet që në të ardhmen e afërt të ketë stimulim të shoferëve të mirë dhe penalizim të atyre që kanë historik dëmesh.
Aktualisht, shoqëritë e sigurimit përdorin në mënyrë direkte më pak faktorë rreziku në llogaritjen e primeve, kryesisht moshën e mjetit dhe fuqinë motorike. Faktorë të tjerë që mund të ndikojnë ndjeshëm në rrezikun e ndodhjes së dëmeve, si, për shembull, mosha apo përvoja e drejtuesit të mjetit, zona ku qarkullon mjeti, etj. sot nuk merren në konsideratë.