Prokuroria e Posaçme në Shqipëri (SPAK), të hënën e 13 dhjetorit, ka shtyrë seancën për ish-drejtorin e Radio Televizionit Shqiptar, Thoma Gëllçin, i cili është arrestuar për abuzim me fondet publike.
SPAK ka kërkuar informacione të tjera mbi disa tendera të ndryshëm.
Ish-drejtori i RTSH-së u arrestua më 8 tetor.
Më 11 tetor, Gjykata e Posaçme për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) vendosi ta lërë në qeli, së bashku me të akuzuarit e tjerë.
Sipas SPAK-ut, ai ka shpallur procedurën e tenderit përpara se të merrte miratimin nga Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) dhe Bordi për hapjen e kanalit TVSH AGRO.
Në tenderin për blerjen e pajisjeve kanë qenë dy kompani.
Tenderi është zhvilluar në vitin 2018 dhe procedura është shpallur tri vite përpara se TVSH Agro të fillonte transmetimin.
Në vitin 2021, TVSH Agro ka dalë në prova teknike. Përmes tenderit janë blerë pajisjet dhe janë përdorur ndërkohë.
Në tenderin për blerjen e pajisjeve kanë qenë dy kompani; EURO contact dhe TBS 96.
Anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO) kanë shpallur fituese kompaninë, e cila kishte ofertë 20 milionë lekë më të lartë.
Të dyja kompanitë kanë pasur parregullsi në dokumentacion dhe duheshin skualifikuar.
Kush është Thoma Gëllçi?
Thoma Gëllçi ka punuar si gazetar dhe redaktor i kulturës në gazetën Zëri i Popullit gjatë viteve 1985- 1992, organ zyrtar i Partisë së Punës së Shqipërisë dhe pas vitit 1991, i Partisë Socialiste.
Në periudhën 1992-1996, ai shërbeu si kryeredaktori i gazetës Zëri i Popullit, gjatë kohës kur Partia Socialiste ishte në opozitë.
Gëllçi shërbeu si zëdhënës i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar me kryeministër, Bashkim Fino gjatë periudhës mars-qershor 1997.
Me ardhjen në pushtet të socialistëve, ai shërbeu si zëdhënës dhe drejtues i zyrës së informacionit të kryeministrave socialistë: i kryeministrit Fatos Nano më 1997-1998, i kryeministrit Meta më 1999-2002 dhe sërish i kryeministrit Nano më 2002 deri më 2005.
Në vitin 2005, Gëllçi emigroi në SHBA, nga ku u kthye për të marrë drejtimin e RTSH në maj të 2016.
/Albanianpost.com