Drejtuesit e automjeteve në shtetin e Virxhinias amerikane u detyruan të kalonin natën në makina pasi një pjesë e autostradës kryesore u mbyll për shkak të stuhisë së borës që goditi zonën një ditë më parë.
Autostrada I-95, një nga korridoret kryesore të trafikut nga veriu në jug të SHBA-së, është mbyllur në të dy drejtimet pranë qytetit të Fredericksburg, 89 kilometra në jug të kryeqytetit Uashington, njoftoi të martën Sekretariati i Transportit të Virxhinias.
“Ekipet tona janë duke punuar në mënyrë aktive për t’i mundësuar të gjithëve të largohen nga 95. Planet janë duke u zhvilluar për t’i drejtuar automjetet e ndaluara në autostradë si rrugë të vogla aty pranë, në mënyrë që të mund të arrijnë rrugë alternative,” shkroi agjencia në llogarinë e saj në Twitter.
Bllokimi i trafikut filloi të hënën pasi ranë 30 centimetra borë në pjesë të Shteteve të Bashkuara jugperëndimore dhe lindore, gjë që shkaktoi aksidente të shumta, njoftuan mediat lokale.
Automjetet kanë mbetur të bllokuara në autostradë gjatë natës, kur temperaturat kanë rënë nën zero.
Shërbimet e urgjencës shtetërore dhe lokale punuan gjatë natës për të hequr pemët e rrëzuara dhe për të ndihmuar shoferët e bllokuar, tha guvernatori i Virxhinias, Ralph Northham.
“Të gjithë banorët e Virxhinias duhet të shmangin I-95,” shkroi Northam në Twitter.
Rrjetet sociale kanë vërshuar me postimet e shoferëve të bllokuar në makina për orë të tëra, në temperatura jashtëzakonisht të ulëta, shpesh pa ushqim dhe ujë.