Çfarë u zbulua në Francë? Një variant i ri Covid me 46 mutacione, pacienti kishte ardhur nga…

4 Minuta Lexim

Një variant i ri i koronavirusit me 46 mutacione është zbuluar në Francën jugore nga shkencëtarët, raporton “Daily Mail”.

Varianti i ri i Covid-19 u zbulua për herë të parë tek një pacient që u kthye në Francë nga Kameruni. Studiuesit thanë se është shumë herët për të vlerësuar tiparet e tij.

Varianti i ri, i quajtur B.1.640.2, u zbulua në 12 pacientë që jetonin në të njëjtën zonë gjeografike në Francën juglindore, tha një ekip shkencëtarësh javën e kaluar.

Ky variant, lidhet me linjën e B.1.640, e cila u klasifikua si një variant nën monitorim nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) në nëntor.

Pacienti i parë i identifikuar me variantin e ri ishte një i rritur i cili ishte i vaksinuar, dhe ishte kthyer në një fshat francez nga një udhëtim në Kamerun. Ai shfaqi simptoma të lehta të vështirësisë në frymëmarrje një ditë përpara diagnostikimit.

Analiza e gjenomit zbuloi se virusi i këtij lloji të veçantë ka 46 mutacione, thanë studiuesit.

“Është shumë herët për të spekuluar mbi tiparet virologjike, epidemiologjike apo klinike të këtij… varianti bazuar në këto 12 raste”, shkruan ata.

“Në përgjithësi, këto vëzhgime tregojnë edhe një herë paparashikueshmërinë e shfaqjes së varianteve të reja SARS-CoV-2 dhe vështirësinë për të kontrolluar përhapjen”.

Sipas Daily Mail, varianti i ri me 46 mutacione mendohet se e bën atë edhe më rezistent ndaj vaksinave aktuale.

Por ka pak shenja që ky po konkuron variantin dominues Omicron , i cili tani përbën më shumë se 60 për qind të rasteve në Francë.

Varianti i ri u zbulua nga akademikët e bazuar në “IHU Mediterranee Infection” më 10 dhjetor, por që atëherë nuk është përhapur me shpejtësi.

Ai ende nuk është detektuar në vende të tjera ose nuk është emërtuar si një variant nën hetim nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Varianti është quajtur B.1.640.2 dhe zbulimi i tij u njoftua në një postim nga shkencëtarët francezë në medRxiv, por nuk është publikuar në një revistë akademike.

Shkencëtarët thonë se prejardhja është gjenetikisht e ndryshme nga B.1.640, e cila mendohet të jetë shfaqur në Republikën Demokratike të Kongos në shtator.

Testet e kryera deri më tani tregojnë se varianti i ri mbart mutacionin E484K që mendohet se e bën atë më rezistent ndaj vaksinave.

Varianti gjithashtu ka mutacionin N501Y, zbuluar për herë të parë në variantin Alpha – që ekspertët besojnë se mund ta bëjë atë më të transmetueshëm.

Shkencëtarët në mbarë botën kanë qenë në vigjilencë të lartë për mutacione të reja të koronavirusit, sepse ato mund të prodhojnë variante që janë më infektuese dhe rezistente ndaj vaksinave.

Shfaqja e Omicron, i klasifikuar si një variant shqetësues nga OBSH në nëntor, bëri që shumë vende të mbyllnin kufijtë e tyre dhe të shtrëngonin masat për të kontrolluar pandeminë.

Franca ka mbikëqyrje të mirë për variantet e Covid-19, që do të thotë se çdo lloj i ri mutant kapet shpejt.

Në Britani rreth tre në dhjetë raste kontrollohen për variante të reja.

Omicron – ose B.1.1.529 – mbart rreth 50 mutacione dhe duket se është më i transmetueshëm tek personat që tashmë kanë një nivel imuniteti.

Por një numër në rritje i studimeve po vërteton se ka gjithashtu shumë më pak gjasa të shkaktojë sëmundje të rënda tek të infektuarit.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull