HESHTJA E ÇUDITËSHME E PROKURORISË PËR MASAKREN ABUZUESE ME TENDERAT COVID-19

4 Minuta Lexim
Në nëntor të vitit 2020, Ministria e Shëndetësisë lidhi një kontratë 3 milionë euro me kompaninë “Intermed” për blerjen e pajisjeve mbrojtëse ndaj Covid. Nënshkrimi i kontratës ishte epilogu i një procesi prokurimi, që duhet të hyjë në manualet e dhunimit të parasë publike me arrogancë dhe pa asnjë frikë nga ligji.
Nga Klodian TOMORRI –
Tenderi për blerjen e pajisjeve mbrojtëse ndaj Covid-19 për personelin shëndetësor u zhvillua në gusht të vitit 2020. Ai parashikonte blerjen e dorezave, maskave, syzeve dhe veshjeve mbrojtëse për mjekët dhe infermierët në spitalet publike me fond limit të përcaktuar prej 600 milionë lekë ose 5 milionë euro.
Në garë u paraqitën 12 kompani.
Mes këtyre 12 kompanive, 5 kompani dhanë oferta 3 herë më të ulët se fondi limit. Pra nga 5 milionë euro që ishte fondi limit, 5 oferta ishin nën 1.7 milionë euro. Madje oferta e parë ishte edhe më pak se 1 milionë euro, ose 5 herë më pak se fondi limit. Që këtu, tenderi duhet të ishte bllokuar menjëherë. Si është përllogaritur fondi limit 5 milionë euro, kur në garë hyjnë 4 oferta me 3 herë më pak? Por nuk mbaron me kaq.
Nga 12 ofertat, Ministria e Shëndetësisë kualifikoi 4 oferta. Përfshirë atë më të ultën me 1 milionë euro, çka e shpallte atë automatikisht fituese të tenderit. Por pastaj fillon batërdia. “Intermed”, kompania me ofertën më të lartë ndër ofertat e kualifikuara ankohet në Komisionin e Prokurimit Publik duke kërkuar skualifikimin e të gjitha ofertave para saj. Paralelisht ndaj kompanive të tjera pati edhe mesazhe; ose tërhiquni ose tenderi mund të anullohet.
Në KPP, kjo ka qenë një nga çështjet me më shumë sherr. Çfarë bën KPP në fund? I skualifikon të gjitha ofertat, përveç “Intermed”-it. Si rezultat, kompania e cila kishte ofertën e 10-të, u shpall fituese e tenderit. Pra u skualifikuan 9 kompani me oferta më të ulëta dhe u shpall fituese kompania e renditur e 10-a.
Diferenca mes ofertës së “Intermed” që fitoi tenderin dhe ofertave më të ulëta që skualifikoi KPP është plot 2 milionë euro. Me pak fjalë, taksapaguesit shqiptarë do t’i kishin blerë materialet mbrojtëse të mjekëve me 1 milionë euro. Por në vend të kësaj i blenë me 3 milionë euro.
Por pse nuk lëviz Prokuroria?
Ky është tender me flamuj të kuq gjithandej, por nuk hetohet. Askush nuk e merr mundimit të verifikojë praktikën e ndjekur dhe dokumentat e tenderit. Si u përcaktua fondi limit? Sa përkojnë argumentat e dhëna nga KPP në vendim me dokumentat e kompanive?
Askush nuk merr mundimin të verifikojë çfarë pagesash ka bërë fituesi pas tenderit? Kujt i ka bërë pagesa apo transferta? Nga kush i ka blerë materialet? Se ndoshta rezulton hetim pa shumë mund.
Dhe ky është vetëm një nga tenderat Covid. Por këtu është bërë masakër me prokurimet e Covid-19. Ndërkohë në Itali sot janë me dhjetëra zyrtarë në burg për tenderat e pandemisë. Këta gëzojnë paratë. Vetëm me një tender, 2 milionë euro.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull