I pari, për mendimin tim, që mban përgjegjësi direkte për këtë denigrim, që po i bëhet këngës shqiptare në një institucion shtetëror është drejtori me kompetenca absolute i këtij aktiviteti Martin Leka, është pikërisht ky që zgjedh “stafin profesional” për përzgjedhjen e këngëve, jurinë e këtij festivali, etj.
Nga Xhovan SHYTI –
Kompozitori Valentin Veizi, fitues për dy vite rresht i vendit të parë në eventin më të rendësishëm të këngës shqiptare në RTSH, prej dekadash jeton në SHBA, ku dhe ushtron profesionin e vet. Megjithse me mijëra kilometra jashtë vendit të tij kompozitori Veizi nuk i ka humbur lidhjet me artin e muzikës së atdheut dhe veçanërisht me atë deputuese të Festivalit kombëtar.
Me të njejtën vëmendje kompozitori sfidant i dy festivaleve kombëtare rresht: Fest ’96 dhe Fest’ 97, por edhe i vendit të parë në festivalin ndërkombëtar “Discovery ’98” në Vrana të Bullgarisë e vendit të dytë në konkurrimin “Voice of Asia” etj., ka ndjekur edhe edicionin e 60-të eventit që u zhvillua në fundvitin e shkuar, që, si shumë paraardhës të tij, ndezi debate, polemika madje dhe sherre personale.
Gjykimet e veta lidhur me gjithsa kompozitori Veizi i ka përcjellë nëpërmjet një letre adresuar homologut të tij, kompozitorit Aleksandës Peçi. Ja çfarë kumton Valentin Veizi në tekstin e letrës:
“I dashur profesori im i nderuar Aleksandër Peçi, jam plotësisht dakord me shqetësimin (problemin që sjell) në lidhje me denigrimin, që po i bëhet një aktiviteti kaq i rëndësishëm të këngës shqiptare, atij të Festivalit të RTSH.
Midis shumë kritikave nga muzikantë profesionistë, opinione të ndryshme që dëgjojmë e lexojmë këto ditë pas Festivalit të 60-të më bën përshtypje “kryqëzimi” që po i bëjnë vajzës këngëtare Hajatit, për hatër të së vërtetës ajo nuk detyroi njeri me forcë të përzgjidhnin këngën e saj në këtë aktivitet. Ajo bëri atë që mendon se është më e mira edhe e bukura, jo vetëm kaq por vajza nuk e vodhi çmimin e parë, atë e nderuan, ia dhanë solemnisht këtë çmim “profesionistët artistë”.
Të jesh i ri edhe të kesh dëshirë të shkruash këngë, poezi, e të këndosh në një Festival Kombëtar, aq më tepër të ëndërrosh ta fitosh këtë Festival nuk është gabim apo “krim”, ne nuk duhet ti bëjmë përgjegjës ata për dëshirat edhe ëndrrat e tyre.