Mbrëmjen e dy ditëve më parë, Empoli ku luajnë shqiptarët Nedim Bajrami, Ardijan Ismajli dhe Kristian Asllani, ia doli ta çojë ndeshjen në shtesë e për pak Empoli e eliminoi Interin nga Kupa e Italisë. Gjithsesi, eksperienca e zikaltërve bëri që ta ndryshonin rezultatin në minutën e 120-të, për t’ia hequr nga duart shqiptarëve mundësinë të shkojnë më tej në kupën italiane.
Gjithsesi, edhe pse u kualifikua Interi, duhet thënë se shtypi sportiv italian i ka vlerësuar lojtarët shqiptarë me notë të lartë për performancën e tyre fantastike, veçmas mesfushorin kuqezi Nedim Bajrami, i cili bëri një nga ndeshjet më brilante të tij, duke qenë tmerri i skuadrës zikaltër. Duhet thënë se janë vetë mediat italiane që e quajnë një spektakël shqiptar mbrëmjen në kupë mes Interit dhe Empolit.
E pranojnë vetë mediat sportive italiane në analizat dhe kritikat e tyre që Nedim Bajrami ishte pa dyshim njeriu i mbrëmjes së djeshme. Sapo u fut në fushë me nisjen e pjesës së dytë, mesfushori shqiptar arriti të ndryshojë fytyrën jo vetëm të skuadrës së tij, por edhe të gjithë ndeshjes, një ndeshje që deri në ato momente kishte parë raste zikaltër, por jo lojë të bukur. Inkursione, kilometra, driblime, me pak fjalë spektakël i fantazistit që sinjalin e parë e dha kur goditi portën nga distanca. Me kalimin e minutave, 22-vjeçari filloi depërtimin mes mbrojtësve zikaltër dhe u gjend shpesh në zonë, aty ku shndërroi në gol dhe asistin e Asllanit që e shoqëroi me festimin me shqiponjë. Nedimi nuk u ndal pas golit dhe vazhdoi të krijonte duke ngjallur gjithmonë panik në zonën e Interit. Puna fantastike e Bajramit e kurorëzoi si më të mirin e të tijve dhe e vlerësoi me notën 7.5. “Nota 7.5 e merituar, sepse sapo hyn i jep tjetër ritëm ndeshjes me prekje klasi e lojë mes linjash. Çmend mesfushën zikaltër që e ka të pamundur ta ndalë dhe shpik një gol që trondit “San Siro”-n. Leksion futbolli”, ishte paraqitja e tij në këtë ndeshje”, shkruajnë medumet italiane.
Bajrami refuzon Sasuolon, do klub më të madh
Ndërkohë që mediat italiane janë fokusuar tek mesfushori fantazist shqiptar, vetë Nedim Bajrami ka refuzuar kalimin te skuadra e Sasuolos gjatë këtij muaji, pasi synimi i tij është që t’i bashkohet një ekipi më të madh në Serie A. Po ashtu, mesfushori i Shqipërisë ka vendosur të mbetet tek Empoli deri në fund të sezonit dhe në verë t’i shqyrtojë ofertat për të ardhmen e tij. Sasuolo ishte pranë transferimit te Bajramit pasi kishte arritur marrëveshje me Empolin, por ishte mesfushori që stopoi gjithçka. Për Bajramin, Empoli po kërkon 10 mln euro dhe pas formës që ka treguar këtë edicion, interesim për shërbimet e tij kanë shprehur edhe Lacio e Napoli. Megjithatë, Bajrami që ka kontratë deri në vitin 2024 nuk do të largohet nga Empoli deri në verë. Këtë sezon, Bajrami është njëri prej lojtarëve kryesor te Empoli ku në 23 ndeshje në të gjitha garat ka shënuar 8 gola dhe ka bërë 4 asistime. Kujtojmë që Bajrami ka fituar menjëherë një vend në formacionin e trajnerit Edi Reja në Kombëtare, duke qenë lojtar inteligjent që zgjidh shumë detyra në fushën e lojës.