Nga Aleksandër ÇIPA-
Në fillim të javës së parë të këtij viti të ri, pesë shtete të fuqishme botërore u bënë bashkë-firmëtare të një deklarate për parandalimin e luftës bërthamore dhe shmangien e garës së armatimit. Bëhet fjalë për deklaratën e pranuar njëherësh nga SHBA, Kina, Franca, Rusia dhe Britania e Madhe.
Të pesë vendet e deklaruara dakordësohen që asnjë armë e tyre bërthamore nuk drejtohet ndaj njeri-tjetrit ose një vendi tjetër. Në këtë pikë, dakordësimi në këtë formë, mishëron një akt solidariteti gjeopolitik dhe strategjik mes pesë vendeve më të fuqishme. Sikundër mund të thuhet se në deklaratë pranohet në unison arsyetimi se “lufta bërthamore nuk mund të fitohet dhe nuk duhet të zhvillohet kurrë”. Kjo deklaratë dhe bashkimi i vendeve që në planin politik kanë krijuar perceptimin se janë të pabashkueshmën për interesa kaq globale dhe kapitale, mbart jo vetëm vlerën e një mesazhi, por përbën dokumentim e një akti solidariteti ndërshtetëror për riskun fatal të përdorimit të armëve bërthamore.
Në vetvete, deklarata është një ogur i mbarë për sigurinë globale, për bashkëqeverisjen botërore dhe për kapacitetet e mundshme të një solidariteti gjeostrategjik antibërthamor, mbi të gjitha sepse vjen në një moment tensionesh të shtuara ndërmjet palëve.
Ekspertë të shumtë të niveleve të larta, nga shtetet që janë në korrent të rrezikut bërthamor, por edhe nga institucionet ndërkombëtare si Kombet e Bashkuara, kanë vlerësuar muajt e fundit nevojën e një bashkimi dakordësues të shteteve me autoritet përcaktues në fushën e armëve bërthamore. Jo më kot Drejtori i Përgjithshëm i Departamentit të Kontrollit të Armëve në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kinës e cilësoi miratimin e kësaj deklarate jo vetëm si “shumë të rëndësishme”, por veçanërisht “shumë në kohë”.
Publikimi i kësaj deklarate ka rikthyer qetim të përkohshëm të opinionit ndërkombëtar, sikundër ka rehatuar qarqe të ndryshme ushtarake dhe ka rritur nivelin e sigurisë. Është hera e parë që arrihet një dakordësi e tillë e këtij niveli. Në të afishohet jo vetëm një qëndrim ndërshtetëror, por ekspozohet thellësisht një vullnet përcaktues, pasi siguria bërthamore është një “hall i tejzgjatur në kohë” në hapësirën ndërkombëtare, veçanërisht në garën mes shteteve më të fuqishme.
Kjo ka qenë një ndër arsyet pse kemi kapituj problematikë të mungesës së besimit në relacione të ndërsjellta shtetesh, ashtu edhe aleancash apo grupimesh gjeopolitike. Këtyre pasojave duhet t’u shtojmë edhe acarimin e konkurrencës ndërmjet fuqive të mëdha, e cila në rrjedhat e saj të agravuara, ka shumëfishuar perceptimin e të qenit shumë pranë shpërthimeve të konflikteve ushtarake, madje mes shteteve që njihen si fuqi bërthamore.
Publikimi i deklaratës fitoi me shpejtësi përshëndetjen e bashkësisë ndërkombëtare. Analistë dhe gjeostrategjistë e çmojnë këtë qasje solidarizuese të pesë shteteve si një veprim jo vetëm të domosdoshëm e të dëshirueshëm, por si garanci të patejkalueshme dhe provë luajalizmi për llogari dhe interes të njerëzimit. Pesë shtetet e bashkuara në këtë deklaratë, si pjesëtarë të përhershme të Këshillit të Sigurimit në OKB, në këtë akt respektojnë optimisht përgjegjësinë ndaj paqes dhe sigurisë botërore. Shqipëria, si një shtet i vogël që zyrtarisht ka nisur për herë të
parë mandatin si anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit për periudhën 2022-2023, ka shansin ta konsiderojë këtë një ogur të mirë politik dhe diplomatik.
Natyrshëm që shtetet e dakordësuara në këtë deklarim me efekt global, kanë merita specifike. Propozimet e Kinës zyrtare meritojnë lëvdimin ndërkombëtar dhe shumica e shteteve në analet zyrtare të komunikimit diplomatik e kanë përcjellë këtë vlerësim. Ministra të Jashtëm dhe të Mbrojtjes së shumë shteteve kanë përcjellë përshëndetjet e tyre politike dhe diplomatike.
Zyrtarët e lartë të Pekinit pohojnë se e mbajnë arsenalin bërthamor në nivelin më të ulët në përputhje me kërkesat e sigurisë, duke konfirmuar se qasja e përhershme adresohet dhe i përmbahet politikës së mospërdorimit, pavarësisht nga koha dhe rrethanat.
Tejkalimi i ngërçeve si në takimin e pesë vendeve në vitin 2019 në Pekin, mundësimi i aktit zyrtar të deklaratës së përbashkët, janë pjesë themelore e një strategjie solidare dhe unifikimi ndaj rrezikut bërthamor në botë. Kjo është një pistë ofruese për luajalitet dhe shmangie të akteve të mundshme katastrofale. Rëndësia e këtij akti mund të vlerësohet si pikënisje për garanci më të mëdha, por edhe për dialog të shtuar në të ardhmen. Kjo deklaratë mund të ketë peshën e vlerën e një reference tejet domethënëse në kuadër të garës së shfrenuar për armatim dhe tregje luftarake.