Vdekja e fëmijës 3-vjeçar në kopsht, Gjykata e Fierit jep vendimin për edukatoren

3 Minuta Lexim

Gjykata e Shkallës së Parë në Fier ka dhënë paraditen e sotme masën e sigurisë për edukatoren 27-vjeçare R.Binjaku, arrestuar pas vdekjes së fëmijës 3-vjeçar në kopshtin privat ku ajo punonte.

Gjykata ka dhënë masën e sigurisë arrest me burg me afat 30 ditë për edukatoren, në mënyrë që gjatë kësaj kohe të bëhen verifikimet e duhura për rastin.

Gjykata e Fierit vlerësoi të ligjshëm arrestimin e edukatore, për veprën penale të shkeljes së rregullave në punë.

Familjarët e të miturit kanë shprehur rezerva në lidhje me vdekjen e të miturit, dhe versionin që iu ka dhënë edukatorja.

Sipas tyre nuk ka mundësi që 3 vjeçari të jetë mbytur në një lartësi të tillë, siç është deklaruar nga ana e edukatores.

Mësohet se edukatorja 27-vjeçare kishte një marrëdhënie të mirë me të miturin, i cili ishte një fëmijë shumë i dashur dhe i shkathët. 3-vjeçari qëndronte në kopsht pasi hante ushqim, por dhe flinte së bashku me fëmijët e tjerë.

Atë ditë babai i fëmijës Arjol Kodheli ishte paraqitur në zyrën e financës dhe kishte kryer pagesën mujore të fëmijës për kopshtin dhe edukatores i kishte thënë që ta bënte gati, pasi rreth orës 13 do të shkonte vet që ta merrte.

Në kohën që ora po shkonte 13 dhe babai do të paraqitej në kopësht për të marrë fëmijën, edukatorja e kishte bërë gati, e kishte veshur dhe e kishte lënë në korridor afër portmontosë, ku ndodhej çanta, pasi një fëmijë tjetër nga grupi i saj po qante.

Ky ka qenë dhe momenti fatal. Edukatorja kishte shkuar brenda në klasë për të parë se çfarë kishte ndodhur me fëmijën tjetër, pse po qante dhe e ka qetësuar atë.

Kur është rikthyer për tek fëmija 3-vjeçar që e la në korridor pranë portmontosë, e ka gjetur atë të varur tek varësja ku fëmijët linin xhupat dhe çantat.

Mësohet se ambientet e kopshtit survejohen me kamera si salla e lojërave, salla e ngrënies, sallat e mësimit, por i vetmi vend 4 metra i gjatë midis klasave ku fëmijët lënë xhupat dhe çantat dhe nuk rri njeri, nuk kishte kamera dhe aty ndodhi ngjarja në fjalë.

Nga deklarimet e edukatores në Polici mësohet se në ditën që ka ndodhur ngjarja në klasën ku ajo kryen mësim ka pasur pesë fëmijë.

Edukatorja ka mbaruar arsimin e lartë për profilin e punës, është punësuar konform rregullave dhe i paguheshin edhe sigurimet shoqërore. Mësohet se ajo jetonte në Levan të Fierit me të vëllanë, pasi disa vitesh i kishin ndërruar jetë prindërit.

Fundjavën që ndodhi ngjarja do të kryente ceremoninë e fejesës.

 

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull