“8 gjilpëra të lidhura me pe dhe thuajse të djegura”/ Çfarë po ndodh në varrezat e Durrësit?

3 Minuta Lexim

Ritet satanike duket se po marrin përmasa shqetësuese në Shqipëri. tashmë ka mjaft fakte se këto rite praktikohen. Realizohen në vende të fshehura, në banesa, në bregdet, në varreza. Madje ka edhe sakrifica.

Shenja të çudishme në varreza, të ngjashme me magjinë, janë shfaqur në Durrës. Ekspertët shprehin shqetësimin për rritjen e ngjarjeve të tilla, duke theksuar se është pikërisht vafëria, pasiguria dhe stresi që sjell rritjen e tyre.

Të lidhura me pe dhe thuajse të djegura këto 8 gjilpëra janë gjetur në varrezat e Durrësit.

Mendohet të jenë përdorur për magji gjatë një riti për thirrjen e shpirtrave.

Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço, e ka ngritur shumë më herët alarmin se në vendin tonë, e veçanërisht në varreza, është shtuar veprimtaria e sekteve.

“Vitin e kaluar kemi humbjen e katër vetave të cilët dyshohet shumë që kanë lidhje me këto rituale, përfshirjen në një rreth personash që kryejnë rituale dhe si pasojë e kësaj këta ose vetësakrifikohen duke u bindur të zgjedhin këtë rrugë ose i sakrifikon vetë grupi.Fluksi i madh i këtyre veprimtarive e shikoj që është shtuar në Shqipëri dhe vazhdon të jetë konsistent dhe kjo mund të na çojë në humbje të jetëve të tjera.”

Liri në veprim praktikuesve u jep edhe mungesa e legjislacionit.

“Alarmante është dhe fakti se ne ende nuk kemi institucione të përgatitura, ekspertë të përgatitur për këtë fushë, institucione të posaçme që do të merren me këtë, qoftë dhe ad-hoc që ngrihen rast pas rasti në një ngjarje konkrete, po ashtu dhe një bazë ligjore.”

Por kush është i predispozuar të përfshihet në këto rituale ku jo rrallë shënohen viktima?

“Janë njerëz të dëshpëruar, të shkëputur nga një realitet, me pak shpresë, që duan të besojnë në gjëra të mbinatyrshme për të gjetur zgjidhje të problemeve të tyre, po ashtu fillojnë të besojnë shumë lehtë dhe u nënshtrohen shumë lehtë këtyre doktrinave dhe në rastet më flagrante humbin jetën.”

Në dy vite katër persona kanë humbur jetën në mënyrë të mistershme në Tiranë.

Nënë e bijë, Zhaneta dhe Anisa Josifi, u gjetën pa jetë në qershor të vitit 2020, ku dyshimet janë se u vetësakrifikuan pasi besonin në ringjallje.

Në maj të vitit të shkuar humb jetën Evgjeni Baxho, 23 vjeç. Në trupin e të resë u konstatuan disa simbole në ngjyrë të kuqe.

E mbuluar me mister është edhe vdekja e një 32- vjeçari, i cili u gjet në pyll, në pozicion lutjeje, 40 ditë pasi kishte humbur kontaktet me familjarët.

Për të hetuar këto raste por edhe për të parandaluar veprimtari të tjera pritet ngritja e një grupi pune nga Ministria e Drejtësisë.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull