Përveç vendimit pëi ish ministrin e Brendshm Saimir Tahiri, të cilin e shpalli fajtor dhe e dënoi me pesë vite burg, nga të cilat për shkak të gjykimit të shkurtuar iu konvertuan në tre vjet e katër muaj burg, Apeli i GJKKO ka lënë në fuqi edhe masën me burgim për ish-drejtorin e Policisë së Vlorës, Jaeld Çela.
Ky i fundit është dënuar me 3 vite e 4 muaj burg, në masë të barabartë me ish ministrin Saimir Tahiri, dhe akuzohet për të njejtat vepra penale. Në nëntor të 2017 prokuroria e akuzoi Çelën se në bashkëpunim me ministrin Saimir Tahiri ndihmoi bandën e Habilajve për të trafikuar drogë.
Prokurorë të çështjes asokohe ishin Besim Hajdarmataj, Elisabeta Imeraj dhe Gentian Osmani.
Ndaj tij u ngritën akuzat për shpërdorim detyre, trafik droge, aktivitet dhe përfshirje në grup të strukturuar kriminal, por Gjykata e Shkallës së Parë e Krimeve të Rënda e dënoi me 3 vite e 4 muaj burg vetëm për shpërdorim detyre.
Sakaq, pas dhënies së dënimit Çela ka qenë për pothuajse 3 vite në arrati dhe u vetëdorëzua në 16 maj të 2020. Ai e justifikoi këtë arrati duke thënë se po i nëpërkëmbej e drejta.