Nga Enver ROBELLI-
A ka qenë kështu kjo puna me derivate deputetësh prej se Kosova e pasluftës ka parlament? Nëse ka qenë kështu, pse – deri më sot! – ky keqpërdorim potencial nuk ia ngacmoi kureshtjen profesionale asnjë “gazetari” a “gazetareje” të regjimeve të kaluara? Dihet pse! Sepse ata që tërbohen sonte, kryesisht kanë qenë dhe janë pjesë të rrjetit të përbashkët kriminal për vjedhjen e Kosovës. Derisa kanë përfituar bashkë, edhe heshtjen e kanë pasur të përbashkët.
Po, është krejt në rregull të zemëroheni për 800 a 900 euro që paligjshëm mund t’i ketë marrë një deputet a deputete në dy-tre muajt e fundit (sidomos këta supermoralistët pa moral të VV-së), por ku po mbetet zemërimi për miliona të vjedhura më herët, për vilat e blera në bregdetin e Shqipërisë, për paratë e deponuara në bankat zvicerane dhe turke, për netët në St. Moritz, për ditët e netët në hotele luksoze në Vjenë dhe në Baden-Baden të Gjermanisë, për darka “ambasadorësh” (rreth 3000 euro), për kaviar e krim me krerët e mafies serbo-veriore, për 500 mijë a 600 mijë euro për juristë të huaj të paguar për halle private krerësh shteti, për mijëra euro paguar rrobaqepësve të Vjenës?
Ky ka qenë “normaliteti” deri më 14 shkurt 2021. Që ky “normalitet” duhet të ndërpritet – kjo është përgjegjësi e Lëvizjes Vetëvendosje. Menjëherë! Por, moral nuk duhet të na shesin ata që pinë shampanjë nëpër vilat e hajdutëve të Kosovës!