Nga Aleksandër ÇIPA-
Përpjekja e Kinës për një përafrim me vendet e Ballkanit është një vektor tejet i dukshëm në axhendat e diplomacisë rajonale dhe asaj ndërkombëtare. Në këto raporte, qasjet janë bërë më të ndryshueshme, pasi vetë shtetet e këtij rajoni në pesë vjetëshin e fundit po ndajnë interesa, distanca dhe afëri të ndryshme në realitetet specifike të diplomacive të tyre. Në veçanti, asimetria e qëndrimeve dhe raporteve të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor me fuqitë e mëdha, natyrshëm është ë përcaktuar prej konjukturave dhe interesave shumëplanëshe.
Kina, si një ndër fuqitë e mëdha globale, prej më shumë se një dekade ka projektuar një strategji partneritetesh dhe interesash të posacme ekonomiko-tregtare me këto shtete. Ato natyrshëm që nuk janë simetrike. Në planin diplomatik, krejt kjo hapësirë ndërshtetërore është e lidhur me një tangente interesi për palën kineze, por për vetë shtetet, ajo është në përthyerje dhe diferenca. Nuk mund të flitet për të njëjtën gamë interesash dhe gjatësi vale. Është e kuptueshme se vetë qasjet e shteteve në këtë raport janë të lidhur me qëndrimet dhe konjukturat e tyre të interesit kombëtar dhe raporteve të Kinës me shtetet e fuqishme në arenën globale.
Megjithatë, diplomacia kineze, në natyrën strikte të saj, qartazi ndjek diplomacinë afëruese dhe atë të interesimit në përputhje me nevojat apo interesat akute të shteteve të vogla të rajonit.
Greqia është shteti anëtar i hershëm i BE-së që për gati dy dekada ka pasur atributet e shtetit-kujdestar të paketave europiane për Ballkanin. Madje dy prej këtyre shteteve, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, në axhendën e tyre të integrimit, pashmangshmërisht duhet të kishin në pritoritet dakordësinë greke për çështje të fqinjësisë dhe të interesave politike e ekonomike. Në këtë këndvështrim edhe afritë e interesave të mëdha ekonomike e gjeostrategjike mes Kinës dhe Greqisë, në raport me Ballkanin, duket se kanë një pararendje.
Në takimin e lartë zyrtar të fillimvitit mes kryeministrit grek Qiriakos Micotaqis dhe Këshilltarit të Shtetit dhe Ministrit të Jashtëm të Kinës Wang Yi, u konfirmua një axhendë interesash reciproke që prekin fushën e turizmit, infrastrukturës dhe kulturës. Kryeministri grek u shpreh se Greqia i kushton vëmendje të madhe zhvillimit të marrëdhënieve me Kinën. Ndërkohë që folën edhe për faktin se të dy vendet kanë qytetërime të gjera e të thella. “Si të tilla, mund të ofrojnë iluminizëm ideologjik për zgjidhjen e konflikteve të sotme,”-shtoi Micotaqis.
Në këtë takim pala kineze riafirmoi dëshirën për të punuar me Greqinë për zhvillimin me cilësi të lartë të nismës “Një brez, një rrugë”, ku theksi ishte te zhvillimi i mëtejshëm i portit të Pireut, si dhe përshpejtimi i ndërtimit të linjave më të shpejta tokësore dhe detare ndërmjet Kiëns dhe Europës. Njëkohësisht, Ministri Wang preku dhe mundësinë e bashkëpunimint në fusha të tjera, si për shembull në energjinë e rinovueshme.
Në kuadër të bashkëpunimit me Kinën, pragmatizmi grek duket se bazohet në pistën e partneritetit të Europës me shtetin e madh. Brenda kësaj dinamike, zyrtari më i lartë i diplomacisë kineze e vuri theksin te fakti se Kina dhe Europa janë partnerë, jo rivalë, dhe se mundësitë e bashkëpunimit mes dy palëve janë më të mëdha se dallimet ndërmjet tyre.
Gjuha e ngjashme e konfirmimit të interesit në shtim për bashkëpunim dhe investim dypalësh është gjithashtu mjaft i pranishëm në marrëdhëniet e Serbisë me Kinën. Pavarësisht nga disa specifika që lidhen me objektivat zhvillimore, në tërësinë e tyre, relacionet e Beogradit me Pekinin janë të krahasueshme dhe përngjasuese me ato të Greqisë. Politikisht Serbia e shfrytëzoi raportin diplomatik me Kinën në pikun e pandemisë së COVID-19, kur u duk sikur Bashkimi Europian hezitoi fillimisht të ndërmerrte një angazhim mbështetës për vendet e rajonit. Serbia dhe në veçanti Presidenti Vuçiç e etiketoi Kinën si vendin e vetëm që iu gjend pranë.
Pohimet zyrtare serbe flasin për një derdhje investimesh nga pala kineze qysh prej vitit 2016. Lidhjet tradicionale mes dy vendeve tashmë karakterizohen si “miqësi e celiktë” prej presidentit serb. Niveli i lartë i investimeve financiare kineze në Kinë është i pakrahasueshëm me shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Sipas raportimeve të Beogradit zyrtar, janë rreth 15 miliardë Euro investime nga Kina. Ndërkohë që në tregtinë e jashtme të Serbisë, Kina zë vendin e tretë, menjëherë pas Gjermanisë dhe Italisë.
Në fushën e investimeve infrastrukturore, ato të sigurisë, e të tjera, raportet serbo-kineze janë më të thelluara se me pesë shtetet e tjera (Shqipëria, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Kosova). Nisur prej stadit më të avancuar në rrugëtimin për t’u bërë anëtarë të BE-së, Serbia duken sikur vlerësohen strategjikisht nga diplomacia kineze.
Sidoqoftë interesi ekonomik paraprin drojet diplomatike që shtetet e vogla ballkanike kanë ndaj fuqive të tjera dhe situatës gjeopolitike në lëvizje. Kina e ka shumëfishuar prezencën investuese dhe qarkullimin ekonomik e tregtar gjerësisht në Ballkan. Projekte rajonale dhe ndërkombëtare të inkurajuara nga Kina kanë tashmë dimension real edhe në Bosnjë dhe Hercegovinë, Mal të Zi, dhe Maqedoni të Veriut.
Përtej Kosovës, me të cilën fatkeqësisht Kina nuk ka marrëdhënie diplomatike për shkak të mos-njohjes së shpalljes së pavarësisë, duket sikur më e kujdesshmja dhe e vetëpërmbajtura në ofensivën e Kinës drejt Ballkanit është Shqipëria.
Turneu i fundit i Ministrit Wang në rajon, përfshiu edhe takimet e nivelit të lartë me krejt krerët e shtetit dhe diplomacisë së Tiranës. Udhëtimi i tij në Tiranë ishte vizita e parë në këtë nivel të lartë në 12 vitet e fundit. Realizmi dypalësh në trajtimin e marrëdhënieve në prizmin historik dhe atë të perspektivës së ardhshme konsiderohet premisë e fuqishme për shtimin dhe kapitalizimin dypalësh të tyre. Kryeministri Edi Rama shtoi se shpreson të forcojë bashkëpunimin me Kinën në fusha të ndryshme. Në të njëjtën kohë, Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka shprehu interesim shqiptar për reciprocitet dhe partneritet në disa fusha.
Sidoqoftë, pavarësisht nga asimetritë e raporteve bilaterale me shtetet ballkanike, duket se Pekini ka projektuar një dimension të ri prezence ekonomike dhe tregtare me këtë pjesë të kontinentit europian. Në konceptin klasik të pragmatizmit, shtimi dhe intensifikimi i kësaj prezence nënkupton edhe një peshë të re diplomatike që Kina, si fuqi e madhe, investon në mënyrën e vet.