Një student italian, Claudio Mandia, ka humbur jetën në Nju Jorik, në një kolegj ku vijonte prej disa vitesh studimet, ndërsa akuza e familjes së tij është për një ”trajtim të paimangjinueshëm”, por pa dhënë detaje specifike.
Familjarët, të cilët thonë se janë “të tronditur dhe të shkatërruar” nga ajo që ata e quajnë “një vdekje e pakuptimtë”, shpjegojnë se “një hetim i plotë është duke u zhvilluar” dhe njoftojnë se synojnë të ndërmarrin “masat e duhura”.
Vdekja u raportua pak orë para ditëlindjes së tij të 18-të. I riu me origjinë nga Battipaglia, i cili vdiq natën mes të enjtes dhe të premtes, do të kishte mbushur 18 vjeç të shtunën.
Familja e tij, e cila kishte arritur në Shtetet e Bashkuara vetëm për të festuar ditëlindjen e Claudios, shpjegoi se i riu ishte goditur nga një sëmundje e pashpjegueshme. “Ai nuk ishte i sëmurë, ai ishte shumë i shëndetshëm. Mjekët do të duhet të zbulojnë se çfarë ndodhi,” tha xhaxhai i tij Pietro Benesatto.
Hetuesit amerikanë për momentin kanë ende rezerva për shkaqet e vdekjes, dhe janë në pritje të kryerjes së autopsisë.
Policia mori në pyetje bashkëmoshatarët që qëndronin në kolegjin e Claudios, për të mësuar më shumë mbi aktivitetin e të riut.
I riu ëndërronte të bëhej menaxher dhe të punonte në fushën e ekonomisë dhe për këtë kishte vendosur të ‘fluturonte’ në SHBA. Por ëndrra e tij u copëtua nga një fat mizor.
Priten rezultatet e autopsisë. “Këto janë gjëra që nuk duhet të ndodhin kurrë, sidomos në moshë të re”, tha kryebashkiaku i Battipaglia, Cecilia Francese, i cili po ndjek çështjen nga distanca, duke garantuar mbështetje për familjen e Claudios.
Gjatë ditës Bashkia pati kontakte me Konsullatën Italiane, së cilës i dërgoi të gjitha dokumentet e nevojshme për të organizuar kthimin e trupit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Megjithatë, ende nuk është e qartë nëse kjo do të ndodhë së shpejti apo do të duhen edhe disa ditë për të përfunduar dokumentet burokratike dhe për të marrë rezultatet e autopsisë.