Nga Aleksander ÇIPA-
Bir e At u ndanë së largu
Për miqtë e mi të paharruar, të shtrenjtët poetët babë e bir, Arben dhe Denis Duka
Vdiq poeti dhe nuk fjeti, as tek kënga, as në Tokë,
Se pas tij një shpirt u bë, biri i çau aortën,
Nuk duroi atë dhimbje që Denisi pat për atin,
Se kur iku Arben Duka, në atë mort s’e pati djalin.
Ndërsa shpirti i Arbenit la trupin pas dyzet ditë,
Fluturoi dhe Denisi në eter, një shpirt i dytë,
Në atë derë ku vetëm Vera si ikonë vaj- pambyllur,
Erdhi gjëma e Denisit gjithë qiejt bë të pikur.
Bir e At u ndanë së largu, mbetur në dy kontinente,
Pikë e tyre përbashkimi u zgjodh qielli më vete,
Nëpër miq e njerëzi, mbeti veç zezuar fjala,
Sa lamë pas lotin për Benin, gjëmë e Denisit përpara.
O shtëpi që të mbyt loti, kush ta ndezë një cigare?!
Portë e lartë e poezisë zënë nga vdekja hileqare.
Nënë e bijë ku të shtrojnë vajin, sipas orës shqipëtare?
Ati shtrirë në Atdhe, biri pret një radhë ndër varre.
Se kjo gjëmë e pamasë që s’ka zemër ta peshojë,
Të parin hoqi poetin. Si Ai, kush ta këndojë?!
Tragjedinë e kësaj dere që rëndon sa një vargmal,
Cili nip, e cila mbesë do ta heqë e do ta shpallë?!
O Denadë bijë e poetit, motër e Denisit djalë,
Barrë e rëndë e gjithë dhimbjes, lotin po ta mban të valë,
Doruntinë në dhe të huaj me dy vdekje larg e larg,
Atin ke tek Shqipëria, vëllain në cilin varg??
Bijë e vogël, mbesë poeti, emërbukura Sofi,
Babi yt si djalë i bukur, në atë moshë t’u bë Hy,
Mos kërko të vijë prapë, aty larg në Tennesi,
Zemra jote do mësohet atë dorë ta ketë në sy.
O Arben që fjete kur lodhe gjithë dhimbjet,
Vetë e parathe: “ janë të gjata vdekjet”
Me gurë të Argjiros bën kalldrëm në zëmër,
Odria aq e shtrenjtë, që ty t’u mbart ëndërr.
Tani në vendin tënd shtatore ngre vetmia,
E lashë sot një cigare dhe s’u shfaq Perëndia.
Në hap më ra një dorë mendimi rëndur lot,
Ti mërmërite Ben:” O bir s’të ktheva dot!”
Në vendin që e deshe o dukë i fjalës shqipe,
Dy shpirtra mori qielli, dy trupa vdiqe, vdekje
Të ndarë si në baladë, syrgjin, dy kontinente,
Nga qielli marrim shi, shpirtrat i mban për vete.
9 Shkurt 2022