Ushtrimi i aktivitetit të lojërave të paligjshme të fatit ka çuar në pranga 4 pronarë lokalesh në Tiranë.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Four” u arrestuan në flagrancë Arsen Sulaj, Klajdi Balliu, Aleksander Bendo dhe Lutfi Shima.
Lokalet e tyre janë përkatësisht në Kashar, në rrugën “Hamdi Cenoimeri” në Kombinat; në Rrugën e Xhepëve.
Policia bën me dije se të 4 pronarët e arrestuar kishin vënë në dispozicion lokalet në pronësi të tyre, për ushtrimin e lojërave të fatit.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Four”. Operacioni nga Komisariati i Policisë Nr. 6, për goditjen e aktivitetit të paligjshëm në fushën e lojërave të fatit. Goditen 4 raste të organizimit të lotarive të palejuara, arrestohen në flagrancë 4 shtetas, procedohen penalisht 2 të tjerë. Sekuestrohen çipsa, një pako me letra bixhozi dhe 3 aparate celulare që dyshohet se përdoreshin për ushtrimin e aktivitetit të lojërave të fatit.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 6, bazuar në informacionet e marra në rrugë policore, se disa shtetas ushtronin aktivitetin e paligjshëm të lotarive të palejuara, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Four”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
– A. S., 23 vjeç, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojra të palejuara”.
Gjithashtu u proceduan penalisht shtetasit A. H., 27 vjeç, për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe F. D., 28 vjeç për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Këta shtetas u konstatuan duke ushtruar aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit, në ambientet e lokalit në pronësi të shtetasit A. S., në Kashar, i cili e kishte vënë lokalin në dispozicion për ushtrimin e kësaj veprimtarie të paligjshme. Gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit F. D., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi lënde të dyshuar narkotike të llojit cannabis sativa.