Kalaja e Rozafës, 2339 vizitorë gjatë muajit janar të këtij viti

2 Minuta Lexim

Kalaja e Rozafës gjatë muajit që lamë pas ka pasur 2339 vizitorë. Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër shprehet se ka rrije të numrit të vizitorëve, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit që lamë pas. “Statistika/ Kalaja Rozafa, rritet numri i turistëve në këtë fillim viti. Vizitat turistike në kalanë Rozafa kanë vijuar me ecurinë pozitive në këtë fillim viti të 2022, duke reflektuar rritje të fortë të vizitorëve vendas dhe të huaj. 2339 vizitorë gjatè periudhës janar 2022 ose 922 vizitorë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ogur i mirë, për një sezon turistik 2022 të mbarë”, shkruan DRTK.

Kalaja e Shkodrës është një monument mijëvjeçar i ngritur mbi një kodër shkëmbore në hyrje të qytetit të Shkodrës, në jug-lindje të tij. Qëndron mbi një kodër shkëmbore 130 metra mbi nivelin e detit, e rrethuar nga lumi Buna e Drin, me një sipërfaqe prej gati 9 hektarësh. Kalaja përbën një simbol të qytetit, e pranishme ndër piktura, gdhendje, kartolina, stema, etj. Hyrjen kryesore kalaja e ka nga veri-lindja, sipërfaqja e brendshme ndahet nga muret e tre oborreve, me porta mes tyre. Oborret vijnë duke u ngritur njëri pas tjetrit, i treti është në pjesën e lartë të kodrës. Muret dalëse kanë të dalura drejtkëndore që zëvendësojnë kullat, ndërsa në murin e jashtëm kullat janë më të dendura. Brenda kalasë ka disa ambiente që lidhen me një kullë cilindrike, një depo si dhe një godinë trekatëshe të kohëve venedikase, quajtur Kapiteneria.

Oborri i dytë në pjesën qendrore ka katër depozita për grumbullim uji, katërkëndëshe të mbuluara me qemerë, prej ku merrej uji përmes grykave të puseve rrethore. Aty është depoja, burgu si dhe xhamia e Fatihut. Oborri komunikon me hyrjen kryesore të kalasë, para së cilës në vitet 1407-1416, u ndërtua një oborr i fortifikuar, një sistem paramuresh me kthesa të mprehta që zënë pjesën lindore të kalasë.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull