Pas 2 vitesh izolim, ky shtet rihap kufijtë për turistët e vaksinuar

2 Minuta Lexim

Australia ka njoftuar rihapjen e kufijve për turistët e vaksinuar dhe mbajtësit e tjerë të vizave për herë të parë, pas pothuajse dy vjet izolimi, për shkak të Covid-19.

“Nëse jeni i vaksinuar me dy doza, ne mezi presim t’ju mirëpresim përsëri,” tha kryeministri Scott Morrison.

Rihapja do të hyjë në fuqi më 21 shkurt dhe do të jetë një lajm i mirëpritur për shumë sektorë, përfshirë arsimin ndërkombëtar.

Australia ka pasur disa nga kontrollet më të rrepta kufitare në botë gjatë gjithë pandemisë së koronavirusit. Në mars 2020, qeveria mbylli kufijtë, duke ndaluar shumicën e të huajve që të hynin në vend dhe vendosi kufizime të ashpra për të ndihmuar në luftimin e Covid.

Disa studentë ndërkombëtarë dhe migrantë të kualifikuar janë lejuar të hyjnë në vend që nga dhjetori i kaluar.

Morrison tha se ata që do të hyjnë në Australi kur kufijtë të rihapen plotësisht do të duhet të sigurojnë prova të vaksinimit.

“Ky është rregulli. Pritet që të gjithë ta respektojnë atë,” tha ai.

Udhëtarët e pavaksinuar të cilët kanë një arsye mjekësore për të mos u vaksinuar do të duhet ende të aplikojnë për një leje udhëtimi dhe, nëse arrijnë ta marrin, do t’u kërkohet të karantinohen në një hotel.

Që nga fillimi i pandemisë, Australia ka zbatuar masa të rrepta për të ndihmuar në luftimin e përhapjes së infeksioneve Covid, madje duke ndaluar njerëzit e saj të largohen nga vendi vitin e kaluar.

Vendi ka raportuar deri më tani më shumë se 2.7 milionë raste të koronavirusit dhe 4,248 vdekje të lidhura me Covid, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins. Gati 80% e popullsisë është plotësisht e vaksinuar.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull