Marrëveshja e Minskut përbënte një “bazë të rëndësishme të politikës gjermane ndaj Rusisë”, thotë Thomas Kunze, drejtues i Zyrës së Moskës në Fondacionin Konrad Adenauar për DW. “Gjermania, ish-kancelarja dje, dhe kancelari i tanishëm janë angazhuar shumë, që Minsku të jetësohet. Kjo nuk është më e mundur tani me këtë vendim të Rusisë.”
Qeveritë gjermane pavarësisht, se cilat parti kanë qenë në pushtet kanë thënë, se nuk ka zgjidhje ushtarake. Për Putinin kjo zgjidhje ekziston. Ashtu si aneksimi i Gadishullit të Krimesë që qe një zgjidhje ushtarake, nga këndvështrimi i tij.
Situata e ndryshuar në botë
Eksperti për politikën e jashtme, Johannes Varwick nga Universiteti Halle beson, se Gjermania nuk e kuptoi një kohë të gjatë, se Putini e kishte seriozisht. “Pra që ai e vë në pikëpyetje masivisht ekszistencën e një shteti sovran në Ukrainë. E kjo nuk është më bazë për bisedime, nga e cila mund të arrihej një balancim interesash. Në këtë kuptim kemi të bëjmë me një gjendje të ndryshuar dhe kjo botë sot vërtet ka një pamje tjetër nga ajo që ishte dje.”
Në këtë pikë diplomacia gjermane nuk ecën dot më tej, sepse për të vlejnë parime të hekurta, që për Putinin janë të pavlera. Kancelari gjerman Scholz kujtoi të martën (22.02) parimet e paprekshmërisë dhe pandryshueshmërisë së kufijve. Mbi këto bazohet i gjithë rendi i pasluftës. Këtu mund të flitet edhe për një problem bazë të të kuptuarit, pra për interpretime shumë të ndryshme të historisë: Gjermania pas nacionalsocializmit dhe luftën e nxitur prej saj ndoqi rrugën pacifiste. Putini përkundër kësaj e ka parë shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik si një tragjedi, të cilën ai pjesërisht kërkon ta zhbëjë, edhe me dhunë.
Varësi e dyanshme
Por nga ana tjetër ka edhe shkaqe të forta ekonomike për revervimin e Gjermanisë. Gjermania është ekstremisht e varur nga furnizimet ruse me gaz. Më shumë se 40% të naftës dhe më shumë se gjysmën e gazit Gjermania e merr nga Rusia. “Rusia ka si qëllim të vazhdojë furnizimet e pandërprera me gaz në tregjet botërore”, u përpoq Putini të qetësonte klientët e tij perëndimorë. Për të shkelja e së drejtës ndërkombëtare nuk do të ndryshojë gjë në besnikërinë ruse të furnizimeve. Sepse varësia është edhe nga ana tjetër: Rusia ka nevojë urgjente për transfertat në para nga Gjermania dhe vendet e tjera, si edhe investime.
Që para zhvillimeve të fundit, qeveria gjermane ndodhej nën presion të madh për mosvënien në punë të gazsjellësit, Nord Stream2 që do të sillte gaz nga Rusia direkt në Gjermani po të vihej në funksionim. “Gjendja sot është në mënyrë bazike krejt tjetër”, tha Scholz të martën në Berlin dhe tërhoqi procesin e marrjes së lejes për Nord Stream 2.
Çmimet e gazit dhe benzinës në Gjermani nga e hëna janë rritur ndjeshëm dhe ndjehen direkt në xhepat e konsumatorëve. Ministri i Ekonomisë, Robert Habeck, nga Të Gjelbrit, përpiqet ta përgatisë popullsinë për sfida të tjera. “Dua të theksoj edhe një herë, se lufta i ngre çmimet”, tha ai. Por presioni i brendshëm mund të kufizojë hapësirën për sanksione të reja.
Nga Berlini vijnë tone të kujdesshme
Situata e brendshme të bën të kuptosh, pse toni gjerman kundrejt Rusisë, tingëllon ende i moderuar, sidomos tek SPD, pjesë e së cilës është edhe kancelari Scholz. Zëdhënësi për politikën e jashtme i grupit parlamentar sociademokrat, Nils Schmid tha në “Bayerischer Rundfunk” se tani po bëhet e vështirë një zgjidhje diplomatike. “Megjithatë ne duam të bisedojmë me rusët parametrat e marrëveshjes së Minskut.”
Edhe kreu i Të Gjelbërve dhe politikani për çështjet e jashtme, Omi Nouripour kërkon mosshkallëzimin e situatës. Po, Gjermania do të ndikojë për sanksione të reja. “Por nuk mund të vihen të gjitha menjëherë mbi tryezë, por duhet parë hap pas hapi, se çfarë bën pala ruse”, tha ai për radion RBB.
Tone më të ashpra vijnë nga Unioni CDU/CSU. Zëdhënësi për politikën e jashtme i grupit parlamentar konservator, Jürgen Hardt është shprehur se “ndryshe nga viti 2014, pas aneksimit të Krimesë dhe destabilizimit të Ukrainës lindore nga Rusia, tani duhet të vijmë tek një politikë sanksionesh qartësisht e ashpër dhe e shpejtë.” Për politikanin e CDU, “nëse perëndimi nuk e kalon dot këtë test sprove, për një kohë të gjatë nuk do të ketë paqe në Europë.”
Eksperti Varwick e mbështet politikën e sanksioneve, por paralajmëron nga pritshmëri të mëdha. “Vendosmëria e Putinit është e madhe, dhe mundësitë e ndikimit të vogla”, sepse Putini e ka llogaritur ftohtë rrezikun.
Duhet durim
Se çfarë i mbetet diplomacisë gjermane veç sanksioneve duket e paqartë. “Në këtë fazë është e rëndësishme që krahas sanksioneve të para të pengohet një shkallëzim i ri i situatës dhe një katastrofë tjetër. Këtu orientohen të gjitha përpjekjet tona”, tha Scholz. Kancelari gjerman së bashku me presidentin francez, Macron duan të veprojnë ende përmes formatit të Normandisë. Në këtë format krerët e Rusisë dhe Ukrainës si edhe vendet ndërmjetësuese Gjermania dhe Franca negociojnë për një zgjidhje paqësore të konfliktit.
A është realiste kjo? Johannes Varwick shikon shanse vetëm në plan afatgjatë. “Nuk duhet të fshihemi tani dhe të themi gjithçka ka dështuar, dhe duhet t’i pranojmë ato që ndodhën.” Duhet punuar me këmbëngulje edhe me mundësitë e formatit të Normandisë, thotë eksperti. “Kjo nuk do të ndodhë nesër, ndoshta as pasnesër. Por do të vijë koha, kur diplomacia do të jetë e kërkuar sërish. E këtë duhet ta përgatisim tani.”
Thomas Kunze nga Fondacioni Konrad Adenauar, thotë se vërtet që marrëveshja e Minskut është një rrënojë, por “politika gjermane e Rusisë nuk përbëhet vetëm nga politika e jashtme.” Ka shumë lidhje me Rusisë. “Madje në shoqërinë civile, mes kishave, në shkencë, dhe në sferën e kulturës. Ato nuk ndodhen dhe nuk të duhet të ndodhen para rrënojave.”/ DW- Titulli vjen i redaktuar nga Arberia News/