Nga Aleksandër ÇIPA-
Periudha e pandemisë dhe përditshmëria e zakonshme jashtë saj, i rrëmben botës shqiptare shumë artistë,poetë, skulptorë, këngëtarë, kompozitorë dhe personazhe të famshëm të fushave të tjera. Ikën dhe ikin duke e ngritur shpirtin e tyre në lartësinë e njohur të paprekjes dhe mos-shfaqjes publike. Por drita e emrit dhe veprës së tyre bëhet më e pranishme dhe më e dukshme, mes të gjallëve. Në disa raste të tilla dhimbjesh, për shkak të jetë-fikjes, kohët e fundit jam përballur me një trishtim për pamundësinë e nderimit publik të artistëve shqiptarë. Kur ndërroi jetë poeti Arben Duka, institucionet e mëdha publike tek të cilat la kontribut dhe vepër si për shembull RTSH dhe TOB, nuk pati një sallë ku të mund të bënin homazhe kolegët, artistët dhe miqtë e tij të jetës kulturore, aq më tepër fansat dhe adhuruesit. Fondi i krijimtarisë së tij është thelbësor për historikun e festivaleve kombëtare të këngës së lehtë shqiptare.
Kjo gjë ndodhi edhe me artistin unik për nga vokali, pjesëtarin e Asamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore, Hyso Xhaferaj. Një zë i lindur prej natyrës dhe i pastudiuar, por që artistë të ndërprerë si i ndjeri Doktor Flori, apo diva e fuqishme e këngës së lehtë që kryeson aktualisht krejt vitalitetin e këngës së lehtë shqiptare Aurela Gaçe, jo vetëm ia ditën vlerën, por e përjetësuan zërin e tij në introduksione apo ilustrime krijimesh unike. Këngëtari I talentuar me zërin prej natyrës, plotëson për çdo profesionist të muzikës imazhin dhe perceptimin real të zërit që mund të sillte siç e solli “Enigmën” shqiptare. Ai u përcoll nga familjarët, artistët, këngëtarët, polifonët e mëdhenj të Labërisë dhe miqtë e tij, me një homazh prekës por dinjitoz, në sheshin para pallatit në lagjen më periferike të Tiranës. Për Hyso Xhaferin do të duhej në mos një kube madhështore, së paku një holl institucioni ku të kumbonte heshtja e dhi8mbjes për ndërprerjen e një zëri që nuk e sjell më natyra dhe lindjet njerëzore. Në Tiranën e sotme, pra kryeqytetin e Shqipërisë, nuk gjendet një sallë për homazhe për artistë dhe personalitete të jetës publike. Nuk ka! Kjo është ulëritëse. Nëse do ta imponosh një shoqëri, për të mos patur referenca apo kodin e nderimit të vlerave shpirtërore, apo edhe aktorëve të artit dhe intrepretimit të tij, hiqi sallat e nderimit, hollet e homazheve dhe sidomos mjediset publike për ekspozimin dhe shfaqjen e nderimit popullor. ( Për politikanët nuk ndodh kështu. Ata i gjejnë sallat dhe madje, mund të pushtojnë edhe institucionet, për homazhet ndaj vetvetes.)
Diktatura në këtë aspekt, por edhe Mbretëria, ishin shumë e shumë më seriozë se sa republika e demokracisë. (!) E vetmja zgjidhje sfidante që populli dhe publiku ka gjetur, është lartësimi i këtyre të nderuarve të përjetshëm, (por të panderuar prej protokolleve zyrtare dhe shërbëtorëve politikë të godinave), përmes këngës dhe fjalës publike. Këto të fundit, nuk i kanë dot në dorë ata që kanë kostumet urdhëruese. Artistët që ikin nga kjo jetë, kanë jetën e tyre shpërfillëse ndaj çelësmbajtësve të sallave apo të institucioneve.
Bashkia e Tiranës,(Sidomos kjo bashki!), duhet të urdhërohet prej zërit qytetar dhe publik: Ndërsa ndërton dhe jep leje për dhjetra e pse jo edhe qindra shumëkatëshe, së pari, detyrohu të kesh një sallë të madhe për nderimin e artistëve, shkencëtarëve, sportistëve dhe ata që janë shërbëtorë të denjë e të mëdhenj, të dashur dhe të paharruar, të shpirtit dhe kulturës së popullit dhe kombit! Ky është urdhër shpirti prej të gjithë qytetarëve dhe sidomos prej atyre që e kanë kultin e nderimit.