Biblioteka e Durrësit organizon përurimin e studimit monografik “Fatos Arapi dhe nostalgjia për absoluten” të studiueses dhe poetes Alisa Velaj

3 Minuta Lexim

Nga Teuta DHIMA-

Biblioteka Publike Durrës në kuadrin e veprimtarive për librin organizoi përurimin e studimit monografik “Fatos Arapi dhe nostalgjia për absoluten” të studiueses së letërsisë dhe poetes Alisa Velaj.

Alisa Velaj për një periudhë 10 vjeçare, ka qenë lektore e brendshme pranë Universitetit “Aleksandër Moisiu”, Durrës, periudhë në të cilën ka qenë edhe një ndër bashkëpunëtoret e Bibliotekës në organizimin e veprimtarive kushtuar librit.

Ky takim u organizua në Librarinë “Redon” në praninë e poetëve dhe shkrimtarëve durrsakë, lexuesve, stafit të bibliotekës dhe pedagogëve të Universitetit “A. Moisiu”, Durrës. Drejtuesja e Bibliotekës Publike znj. Mirela Ylli, i uroi mirëseardhjen studiueses Alisa Velaj duke theksuar se dyert e institucionit të cilin ajo përfaqëson, janë të hapura për poetët, shkrimtarët dhe studiuesit e letërsisë dhe jo vetëm. Takimi u moderua nga bibliografja Teuta Dhima e cila interpretoi edhe një poezi nga poeti Fatos Arapi që u pasua më pas nga një interpretim i Frosina Bardhit të një poezie nga poetja Alisa Velaj.


Studimi monografik kushtuar Fatos Arapit, poetit, prozatorit, eseistit dhe përkthyesit, një prej zërave më të rëndësishëm të letërsisë shqipe në gjysmën e dytë të shek. XX, përfaqësues parësor i Brezit të viteve 1960, vjen në një  botim dinjitoz nga Shtëpia botuese “Onufri”. “Fatos Arapi dhe nostalgjia për absoluten” vjen në vazhdimësinë e studimeve të tjera të penave të njohura shqiptare dhe iu bashkohet atyre duke e sjellë figurën e poetit të shquar edhe më pranë lexuesit, parë nga këndvështrime si të më poshtë përmendurat:

Mbi poetikën e Fatos Arapit; Liria jo e lirë dhe joliria e lirë; Imazhe dhe lexime të kundërta të botës në poezi; Alegoria e zeros në poezinë intelektuale të Arapit; Metafora e trishtimit hyjnor; Det-dashuria dhe tejskajësia në poetikën e Fatos Arapit; Loja e vdekjes dhe e përjetësisë; Mistika e ëndrrës; Polisemantika e vdekjes;, Poeti vjeshta dhe qiparisat në kumtet e poetikës arapiane; Ornitologjia në vargjet e Fatos Arapit; Dy udhëtime në pyejet e tregimtarisë. Studimi monografik ka një bibliografi të pasur që e mbështet denjësisht atë.

Përshëndetën këtë takim dhe sollën mendimin e tyre rreth studimit: Dhurata Hamzai, gazetare e kulturës, poeti dhe studiuesi Enton Bido; poetja Merita Kuçi; studiuesi dhe shkrimtari Fatmir Minguli; poeti dhe shkrimtari Vaso Papaj; mësuesja Dalina Beshiri; Marjana Çiku gazetare, etj. Ky studim monografik, iu bashkohet studimeve të tjera paraprirëse të penave të njohura shqiptare dhe do të shërbejë për ta informuar lexuesin edhe më shumë e më gjerësisht me veprën e poetit Fatos Arapi, poetit  që me të vërtetë ka qenë një nga penat më të spikatura të letërsisë shqipe, që modernizoi vjershërimin dhe mjetet e shprehjes letrare në përgjithësi, por që shumë pak u shkrua për të.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull