Denazistifikimi i Ukrainës

2 Minuta Lexim
Nga Dashnor KOKONOZI-
Mbrëmë V. Putini përsëri theksoi se ishte i vendosur të denazistifikonte Ukrainën, duke manipuluar me fakte margjinale të historisë.
Për shkak të masakrimit të qëllimshëm të popullit ukrainas nëpërmjet urisë në vitet ’30, pati mjaft që shpresuan se ushtria hitleriane do t’i shpëtonte nga krimineli tjetër, Stalini. Diçka e ngjashme ndodhi edhe në territoret shqiptare kur me shpresë se do të shpëtonin nga dhuna serbe, pati shqiptarë që veshën uniformë naziste.
Por V. Putini vetëm sa luan me fakte të tilla të harruara dhe pa asnjë rol në histori, veçse bën propagandë alla sovjetike.
Retorika e tij e denazistifikimit u rimuar më 2014 kur me vullnetin e tij populli ukrainas shporri V. Iakunoviçin që tentoi ta rilidhë Ukrainën pas tankut rus, duke refuzuar akordin me Bashkimin Evropian.
Rusët që votonin masivisht Putinin, për herë të parë kuptuan se nën drejtimin e një njeriu tê tillë, vendi i tyre nuk përbënte më asgjë tërheqëse. Tronditja ishte e jashtëzakonshme. Putini mori përsipër barrën të gjente një përgjigje. Këtu ai ringjalli kartën e nazistëve ukrainas, duke u nisur nga reliktet e naziskinëve, që nga pak i gjen kudo, madje edhe Indi.
E ringjallur këto ditë, kjo demagogji tipike sovjetike, synon të fshehë të vërtetën e rezistencës së popullit ukrainas, dhe ta identifikojë luftën e tij të pashëmbëllt për të mbrojtur lirinë si përpjekje e ndonjë grupi naziskin.
Për ironi të fatit, duke ndjekur këto ditë përfundimet e disa anketave, del që 40% e rinisë ruse dëshiron të largohet nga Rusia dhe thuajse në tërësinë e tyre, vendi ku dëshirojnë të rifillojnë jetën është… Gjermania, vendi ku u përpunua ideologjia naziste e ku gjithë kohën kanë ekzistuar edhe aty grupe naziskinësh.
Duket atë punën e denazistifikimit të Ukrainës, vetëm V. Putni e beson.
(Fotoja ku thuhet ‘Rusia pa Putin’, është e këtyre ditëve në Moskë)

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull