FRYMA E JETËS DHE E VEPRËS…

4 Minuta Lexim
Nga Zija CELA-
Me 4 mars, si një homazh në ditën kur dha frymën e fundit Dritan Çela, përkthyesi i kësaj kryevepre, Shtëpia botuese Ombra GVG sjell “Shkretëtirën e tartarëve” të Dino Buzzati-t. Një botim i denjë, gjithë përkujdesje e shije, shoqëruar madje me ilustrime, në individualitetin e spikatur që ka krijuar tashmë Ombra GVG.
Kujtoj se për herë të parë ky roman pa dritën e botimit në Tiranë në vitin 1995, nga Shtëpia botuese “L”, të cilën drejtoja aso kohe. Dritani atëherë ishte 25 vjeçar.
Rudolf MARKU: Kur Dritan Çela zgjodhi nga biblioteka kaotike e letërsisë botërore “Shkretëtirën e tartarëve”, me këtë tregon se ka një prirje moderne drejt shkrimtarëve që mund t’i quash pa frikë bashkëkohësit tanë, drejt veprave që e kishin prej kohësh vendin bosh në bibliotekat tona… Përkthimi është bërë me një përgjegjësi të madhe, me mjeshtëri dhe me një dashuri për vetë veprën. Dritan Çela dëshmon kështu se është jo vetëm përkthyesi i vetëm i Buzzati-t, por dhe se është njohësi më i mirë i këtij shkrimtari, në atë shkallë sa duket qartë se përkthyesi nuk është ndrojtur ta marrë përkrahu Buzzati-n dhe t’ua paraqesë pa asnjë kompleks inferioriteti të tjerëve. (Drita, 24 mars 1996).
Preç ZOGAJ: “Kryeveprat”, ku janë romanet “Shkretëtira e tartarëve” dhe “Një dashuri”, i japin rastin lexuesit shqiptar të lexojë tekste që kanë shijen e letërsisë së madhe dhe njëkohësisht të njihet me momentet më pikante të jetës së Dino Buzzat-it. Por ky botim, të mos harrojmë, na kujton edhe njëherë se çfarë kanë humbur letrat shqipe me vdekjen e parakohshme të përkthyesit Dritan Çela. Si të kishte jetuar me idenë e përkohësisë apo të fundit të shpejtë, ndihet në përkthimet e Dritanit një përmbledhje e pazakonshme e dijeve dhe energjive të tij të brendshme për të dhënë më të mirën, për të kapur kulmin e mundshëm e të ëndërruar. Pastaj të bëhet ç’të bëhet. Jam i bindur se ia ka dalë me dy romanet e Buzzat-it. Në këtë kuptim, përkthyesi Dritan Çela u realizua para se të mbyllte sytë. (Mapo, 24 dhjetor 2010)
Visar ZHITI: Përkthyesi i talentuar me gen shkrimtari, Dritan Çela (edhe nëse mund të gjendet në ndonjë rast tjetër fjalë ndryshe), ka përkthyer më të vështirën: frymën e veprës si një poezi të trishtë, e dalë nga thellësitë dhe, si e tillë, disi misterioze e me një lodhje krenare. (Mehr Licht, 1997, nr. 3)
Agron TUFA: Gjithë veprimtarinë e tij, Dritani e projektoi larg përditshmërisë sonë banale, larg telasheve e meskiniteteve vulgare që na takon të ndeshemi përditë. Për të kuptuar mbresën që lënë te lexuesi përkthimet e Tanit, duhet të mbajmë fort parasysh një të vërtetë të madhe – personalitetin e përkthyesit. Dritan Çela ishte organikisht njeri i kulturës, i rritur me ajrin e letërsisë. Ishte njeri i shtëpisë në këtë fushë, i familjarizuar me botën e shpirtit dhe intelektit. Ishte bir i civilizimit. Duke patur një gatim të tillë, ai ishte ndër të rrallët që dinte të përkthente poezinë (të trishtë a të pikëlluar) të shpirtit njerëzor. Unë besoj se lexuesi i rafinuar ka ditur me kohë ta veçojë këtë cilësi në përkthimet e tij dhe t’u referohet, të këshillojë të tjerët që të mos humbasin në tymnajën e dendur të shqip-rrënimeve tona.
(Gazetat Tema dhe Metropol, 5 mars 2006)
May be an image of text
May be a close-up of 1 person

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull