Nga Enver ROBELLI –
Kosova nuk është superfuqi. Siguria e saj varet jetësisht sidomos nga ombrella mbrojtëse e NATO-s. Rrjedhimisht, edhe gjuha e politikanëve kosovarë rreth konfliktit në Ukrainë pas agresionit rus duhet të jetë në përputhje me takatin e Kosovës si shtet.
Deklaratat e fuqishme dhe të ashpra që e lënë në hije edhe gjuhën e politikanëve perëndimorë janë të panevojshme. Partnerët perëndimorë nuk kanë dyshim mbi orientimin properëndimor e Kosovës, andaj nuk ka nevojë për të garuar me deklarata të serta dhe epitete për protagonistët e konfliktit, sepse këtë s’po ia kërkon askush Kosovës.
Deklaratat e serta nga pozicioni i Kosovës të kujtojnë atë anekdotën kur elefanti dhe miu po kalonin urën dhe nga gjysma e urës miu i tha elefantit: “A po e sheh si po dridhet ura kur po kalojmë ne mbi të?”
Urën e dridh tjetërkush, Kosova mjafton të jetë partner i besueshëm dhe të shtojë vigjilencën e forcave të sigurisë në Kosovë. Pra, të këqyr punët e veta dhe të solidarizohet me viktimat e luftës aq sa mundet. Politikën e madhe ndërkombëtare e bën tjetërkush. Në atë tavolinë Kosova nuk ka vend dhe as që mund të ketë, siç nuk kanë as shumë vende të tjera. Me një fjalë: Kosova nuk ka nevojë të jetë bajraktare me deklarata të serta.
*Titulli është i Arberianews.net