Nga Enver ROBELLI-
Çekosllovake, amerikane, hebraike, refugjate, ministre e Jashtme e Amerikës – dhe çlirimtare e Kosovës: Madeleine Albright ishte personifikim i të gjitha stuhive të shekullit të 20-të. Një përkujtim për një grua të paharrueshme.
Madeleine Albright kishte humor. Në korrik të vitit 2018 gazeta gjermane “Süddeutsche Zeitung” e hapi kështu një intervistë me ish-ministren e Jashtme amerikane: “Zonja Albright, ju në të vërtetë quheni ndryshe”. Albright: “Po, këtë ia kam thënë Bill Clintonit kur në fillim të mandatit tim si ministre e Jashtme më luti t’i tregojë ndonjë gjë që ai nuk dinte për mua. I thashë: ‘Zoti president, nuk quhem Madeleine Albright, unë quhem Marie Jana Körbelovà”. Si reagoi Clintoni? Albright: “Ai tha: ‘Në rregull. Mund ta mbash vendin e punës!’”.
2.
Madeleine Albright ishte një grua që nuk trembej nga askush, aq më pak nga diktatorët. “Gjatë konfliktit të Kosovës kisha probleme me Sllobodan Millosheviqin dhe ai mendonte se mund të më mashtrojë me historinë e vuajtjeve të Serbisë. E kishte zgjedhur njeriun e gabuar, babai im me vite s’më kishte folur për diçka tjetër. ‘As mos provoni’, i thashë Millosheviqit. Nuk ishte i entuziazmuar. Njerëzit nuk mund ta marrin me mend sa vështirë është të fillosh një diskutim diplomatik”.
3.
Më 23 janar 1997, para 25 vitesh, presidenti Bill Clinton e emëroi Madeleine Albright ministre të jashtme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ishte e para grua në këtë post dhe e para emigrante, e lindur jashtë Amerikës. Albright u lind më 15 maj 1937 ne Pragë. 25 anëtarë të familjes së saj u vranë në kampet naziste. Babai i saj Josef Körbel ishte diplomat çekosllovak, më vonë profesor i politikës në universitetin e Denverit në SHBA. Dhjetë ditë para se ushtria naziste të marshojë në Pragë, familja e Albright u vendos në Londër. Më 1945 Josef Körbel u kthye me familjen e tij në Pragë. Në vjeshtën e vitit 1945 ai u emërua ambasador i Çekosllovakisë në Beograd, ku jetoi me familjen e tij deri më 1948. Pas puçit komunist në Pragë, familja fitoi azil në SHBA. Në një intervistë për gazetën zvicerane “Tages Anzeiger” para disa vitesh ajo tha: “Pas Luftës së Dytë Botërore babai im ishte ambasador i Çekosllovakisë në Beograd. Prindërit e mi nuk deshën që unë të shkojë në shkollë te komunistët. (…) Për këtë arsye prindërit më dërguan në një shkollë në Zvicër”.
4.
Në disa qytete të Kosovës ka rrugë që mbajnë emrin e Madeleine Albright. Ka vajza që bartin emrin e saj. Ka rrugë që bartin emrin e saj. Në Prishtinë është shpalosur një bust i saj. Ajo është quajtur gjyshja e Kosovës. Çlirimtarja e Kosovës, po se po. Gruaja e pamposhtur që luftoi kundër tiranisë. Zonja e lirisë. Ajo që ua shtriu dorën shpëtimtare fëmijëve të Kosovës. Ajo që në betejën e saj etike, morale, politike dhe diplomatike për çlirimin e Kosovës nuk ngurronte të polemizonte e grindej edhe me burra të pushtetshëm në Washington të cilët, siç besonte ajo, ia zinin nga pak rrugën drejt misionit të saj për t’ia sjellë lirinë Kosovës.
5.
“Kam qenë 59-vjeçare kur zbulova rrënjët e mia hebraike”, tha Albright pasi mori detyrën e ministres së Jashtme amerikane më 1997. E mbajti këtë post në kabinetin e Bill Clintonit deri në vitin 2001. Origjina e saj hebraike luajti rol edhe në formulimin e politikës së jashtme amerikane. Ishte Albright ajo që kishte ndjeshmërinë më të madhe për të drejtat e njeriut. Nga viti 1993 deri në fillim të vitit 1997 ajo ishte ambasadore e SHBA-ve në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe u ballafaqua me pasojat e politikës kriminale të Beogradit në Kroaci dhe sidomos në Bosnjë-Hercegovinë. Ndërsa diplomatë të tjerë (nga Britania apo Franca) përpiqeshin t’i fajësonin të gjitha etnitë në Bosnjë për shpërthimin e dhunës, për Madeleine Albright nuk kishte dyshim se agresori kishte emër: Sllobodan Millosheviqi, Radovan Karaxhiqi e Ratko Mlladiqi me armatën e tyre dhe njësitë paramilitare. Kur mori postin e kryediplomates amerikane asaj nuk i duhej të ndiqte një kurs të shkurtër për të kuptuar politikën ballkanike.
6.
Në autobiografinë e saj kjo profesoreshë e shkencave politike ka përshkruar rrugën e saj jetësore dhe të familjes së saj. Që në moshën dyvjeçare Albright u gjend në Londër, pastaj në Pragë, Beograd dhe në fund, më 1948, në Amerikë. Më 1957 ajo mori shtetësinë amerikane. Prindërit i kishin folur shumë për jetën si refugjatë, por jo edhe për origjinën hebraike. Madeleine u rrit me besimin katolik, të cilin e kishin përqafuar prindërit e saj. 60 vjet pasi babai i saj kishte shërbyer në Beograd si ambasador e bija e tij ishte njëra prej përkrahësve më vendimtare të bombardimit të këtij qyteti, prej nga kishte filluar fushata për vrasjen dhe pushtimin e popujve të tjerë të Ballkanit.
Gjatë kohës sa ushtroi detyrën e ministres së jashtme, ajo e quajti Amerikën një «komb të pashmangshëm», pa të cilin nuk mund të zgjidhen shumë probleme. Gjatë fushatës elektorale për president të SHBA-ve më 2016 ajo ishte kundërshtare e rreptë e Donald Trumpit dhe përkrahu Hillary Clintonin. Albright u bëri apel grave të votojnë kandidaten demokrate duke thënë se në ferr ekziston një sektor për gra, të cilat nuk i përkrahin gratë. E zemëruar me deklaratat urrejtëse të Trumpit kundër të huajve, e sidomos myslimanëve, Albright paralajmëroi se në shenjë solidariteti me myslimanët do të regjistrohej si myslimane.
7.
Në biografinë e saj ajo flet hapur për problemet me të cilat përballet një grua mes burrave në diplomaci, ajo nuk i fsheh dobësitë e saj, tregon me sinqeritet për dështimin e martesës dhe përkundër fuqisë së padiskutueshme të SHBA-ve nuk përpiqet të duket si shpëtimtare e botës. Si grua dhe si diplomate Albright ka rrezatuar përherë elegancë. Në paraqitjet e saj publike nuk mungonin stolitë simbolike: vathët dhe karfica e vendosur në jakë në formë të pëllumbave të paqes. Një dhuratë nga Lea Rabin, e veja e ish-kryeministrit të vrarë izraelit, Jicak Rabin, siç ka shpjeguar ish-ministrja e Jashtme amerikane. Historia e stolive të zonjës Albright është legjendare. Kur Sadam Huseini nga Bagdadi e kishte quajtur «gjarpër», diplomatja amerikane – atëbotë ambasadore e SHBA-së në OKB – ishte shfaqur në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit me një stoli në jakë në formë gjarpri. Njëherë ajo e kishte përshëndetur liderin palestinez, Jasir Arafatin, me një grerëz në jakë, një shenjë e qartë e disponimit të sekretares së shtetit kundrejt kryeneçësisë së Arafatit në procesin paqësor.
8.
Ndonëse e njohur si intervencioniste, Albright mendon se pushtimi i Irakut më 2003 nga SHBA-të është katastrofa më e madhe e politikës së jashtme amerikane. «Ka dështuar politika, e cila e ka ndarë botën në të mirë dhe të këqij. (…) Iraku është shkaku i shumicës së problemeve. Ka qenë një luftë e dëshiruar, jo e nevojshme, e cila jo patjetër është dashur të zhvillohet në momentin e zgjedhur kohor, sepse ne ende nuk i kishim kryer punët tona në Afganistan”, ka thënë Albright në një intervistë me radion gjermane Deutschlandfunk. Ajo ishte kritike edhe ndaj retorikës që e barazonte fenë islame me terrorizëm. “Islami nuk është fe e luftës. Shumë njerëz i ndërlidhin terroristët me islamin – ky është gabim. Në realitet islami është fe paqësore. Ekstremistët radikalë barazohen me islamin. Ne, ndërkaq, nuk lejojmë që feja e krishterë të definohet nga Ku-kluks-klani”, ka deklaruar Albright në një intervistë me gazetën gjermane «Süddeutsche Zeitung».
9.
Një temë e përhershme e saj ishte Kosova, ku ajo gëzon imazhin e një heroine. Para disa vitesh Albright tha se njerëzit në Kosovë dinë ta çmojnë faktin se tani janë pjesë e botës së lirë: “Pas fitores sonë në Prishtinë u mblodhën shumë njerëz, të cilët bartnin transparente ku shkruante: Faleminderit, Amerikë! Çfarë më gëzon edhe më shumë: vitin e kaluar, më 4 korrik (2005), në ditën e Pavarësisë së Amerikës, atje u mbajt një koncert i madh roku. Aty kam kuptuar se Kosova vërtet është një vend ku neve amerikanëve na duan. Mua po më tregojnë se atje është një gjeneratë e vajzave, të cilat mbajnë emrin Madeleine. E pranoj: kjo është një ndjenjë shumë, shumë e mirë”. Albright ka folur edhe për sulmet e vazhdueshme që i bëhen asaj nga Serbia, madje drejtori i kopshtit zoologjik të Beogradit me qejf lavdërohej para vizitorëve me një kobra, të cilën në vitin 1999 e ka pagëzuar me emrin “Medeleine”. “Kjo nuk më befason. Edhe Arafati më ka quajtur gjarpër. Serbët më urrejnë edhe më shumë. Ata, me sa duket, ende besojnë se unë jam fajtore për mjerimin e tyre dhe jo Sllobodan Milosheviqi dhe ideja e tij e çmendur për perandorinë serbomadhe. Unë kam qenë në Vukovar, kur qyteti ende ishte në duar të serbëve, dhe kam dashur të përzihem mes popullit të thjeshtë. Por njerëzit iknin. Meqë unë e kuptoj gjuhën (serbishten), kam dëgjuar se si më quanin kurvë. Më kanë gjuajtur me gurë”, ka treguar Albright.
10.
Gjatë viteve në postin e ministres së Jashtme Albright nuk bëri politikë vetëm me stoli simbolike. Ajo e bindi presidentin Bill Clinton se kundër dhunës së regjimit të Beogradit në Kosovë duhej ndërmarrë masa të ashpra, përfshirë edhe përdorimin e forcës. Para se trupat amerikane të ndërhynin në Haiti, Albright iu drejtua juntës ushtarake me këto fjalë: “Ata mund të zhduken vullnetarisht – dhe sa më shpejt. Ose ata mund të zhduken jovullnetarisht – dhe sa më shpejt”. Largimi i Albright nga politika aktive nuk qe largim nga jeta publike. Në dy dekadat e fundit ajo shkroi disa libra të rëndësishme. Në veprën “I Pushtetshmi dhe i Gjithëpushtetshmi” ajo shkroi mbi kohën e terrorit pas 11 shtatorit 2001, mbi luftën kundër fundamentalizmit islamik dhe mbi shkeljen e parimeve ndërkombëtare të së drejtës nga qeveria e presidentit George W. Bushi.
11.
Zonja Albright ishte e bindur se terrorizmi global kërkon përgjigje të përbashkët dhe bashkëpunim të ngushtë mes aleatëve të vjetër, duke respektuar të drejtën dhe të drejtat e njeriut. Ajo shprehej e habitur mbi ndikimin dhe keqpërdorimin gjithnjë e më të paturpshëm të religjionit për interesa të politikës. Në librin e saj, Albright analizon rolin e gruas, të cilin e përcakton Kurani. “Ka vende në Kuran, të cilat diskriminojnë gratë – siç janë thëniet për poligami, divorc dhe të drejtën e trashëgimisë -, por vargjet e Kuranit gjithsesi janë më pak diskriminuese se traditat që sundonin atëbotë në Arabi. Muhamedi iu kishte thënë mbështetësve të tij: Ju keni të drejta të caktuara ndaj grave, por edhe ato kanë të drejta kundrejt jush”, shkruan Albright. Kritika e zonjës Albright është diferencuese: “Në Kuran nuk ka asnjë rregull, i cili do t’ua ndalonte grave të drejtën e votës, të drejtën për të drejtuar automjetin, për t’u takuar me burra në publik apo për të punuar jashtë amvisërisë (gruaja e profetit, Kadija, ka qenë një tregtare e suksesshme). Vendet me popullsitë më të mëdha myslimane, Indonezia, India, Pakistani, Bangladeshi dhe Turqia kanë pasur respektivisht kanë gra në krye të qeverive – një bilanc të tillë nuk mund ta prezantojnë as Shtetet e Bashkuara, as ndonjë vend arab”.
12.
Angazhimin e saj për të drejtat e gruas, Albright nuk e shihte si mision fanatik, por si punë të përditshme. Një vend kyç në debatet mes islamit dhe krishterimit, sipas Albright, duhet ta zënë myslimanët e Evropës. Ajo lavdëronte propozimin e kryemyftiut të Bosnjës, Mustafa Ceriqi, për një kontratë shoqërore, në të cilën myslimanët europianë qartë do t’i përqafonin parimet demokratike dhe, njëkohësisht, do të realizonin të drejtat e tyre politike, ekonomike dhe fetare. Ceriqi mendon se myslimanët duhet të jenë të vetëdijshëm për obligimet e tyre, në mënyrë që të jenë të denjë për lirinë, ndërkohë që europianët duhet të kuptojnë se islami nuk është trup i huaj në kulturën e tyre, por pjesë e saj. Raportin e saj ndaj fesë Madeleine Albright e përshkruan si kundërthënës: “Unë kam një sfond shumë të ndërlikuar religjioz. Jam rritur si katolike, kam qenë e martuar me një anëtar të kishës episkopale dhe shumë vonë kam zbuluar se kam rrënjë hebraike. (…) Unë e mbaj veten për katolike, por nuk i respektoj të gjitha rregullat, të cilat dikë e bëjnë njeri të mirë të krishterë, por unë besoj në Zot”. Zonja sekretare, siç quhej me respekt nga shumë amerikanë, ishte mjaft aktive si drejtuese e zyrës së konsulencave “Albright Group”, më vonë “Albright Stonebridge Group”, ligjëruese në Georgetown University, kryetare e bordit të “National Democratic Institute” (NDI) dhe vazhdimisht autore librash me vlerë. I fundit mbante titullin: “Ferri dhe caqe të tjera udhëtimi. Një autobiografi në shekullin 21”. Madeleine Albright vdiq më 23 mars 2022, në moshën 84-vjeçare./Koha.net